Dëshmitari A.K., zyrtar policor që kishte punuar më herët me të akuzuarin Muharrem Qerimi, ka deklaruar në gjykimin për spiunazh ndaj Qerimit dhe Bedri Shabanit se Qerimi nuk kishte qenë informator i Policisë së Kosovës, ndërsa informacionet që i kishte dhënë gjatë takimeve të tyre shpesh nuk kishin qenë të sakta ose të plota, raporton Ekonomia Online.
Dëshmitari, i cili u mor në pyetje nga prokurori Bekim Kodraliu, tha se me Qerimin kishte punuar në një ekip hetimor për rreth dy vjet, pasi ky i fundit ishte transferuar nga rajoni i Ferizajt në Drejtorinë e Përgjithshme, përkatësisht në Departamentin e Hetimeve në Prishtinë.
Ai deklaroi se pas largimit të Qerimit nga Policia e Kosovës nuk kishin pasur kontakt për një periudhë të gjatë, ndërsa takimet e tyre kishin rifilluar në vitin 2022.
“Muharrem Qerimin e njoha nga fundi i vitit 2004-2005 kur ky është transferu nga regjioni i Ferizajt në Drejtorinë e Përgjithshme, Departamentin e Hetimeve në Prishtinë. Kemi punuar me një ekip të hetimeve përafërsisht dy vite. E di që deri në fillim të vitit 2007 ka filluar në Prishtinë, pastaj është transferuar në Ferizaj, arsyet e transferit nuk i di. E di që në vitin 2007 e kam taku pasi është transferuar në Ferizaj, gusht ose shtator të vitit 2007 e kam njoft dhe më është dashur që të pyes për ndonjë informacion, si koleg është fjala. Më vonë e kam marrë vesh që është larguar nga puna. Mund ta kem takuar në vitin 2010, edhe në vitin 2011. Pastaj nga viti 2012-2022 nuk kemi pasur asnjë kontakt. Nuk kemi pasur kontakt deri në fillim të vitit 2022”, deklaroi dëshmitari.
Ai tha se për largimin e Qerimit nga Policia e Kosovës kishte dëgjuar se mund të lidhej me keqpërdorim të detyrës zyrtare, por theksoi se nuk kishte njohuri zyrtare për arsyet e largimit.
“Në vitin 2012 nuk ka qenë në Policinë e Kosovës, atëherë e kam kuptuar se nuk ka qenë në punë, në atë takim e kam ditur edhe rrethanat që është larguar. Zyrtarisht nuk e di, por nga ajo që është folur ka qenë diçka për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ka qenë pak kohë pasi kam kaluar prapë në zyrën e inteligjencës, e kam takuar në rrugë. Po, e kam takuar, nuk e di saktë 5-6 herë, nuk besoj që e kam taku më tepër se 6 herë (pas vitit 2022). Jemi takuar kryesisht në Prishtinë, jam te Newborn, a ke kohë me pi kafe. Realisht takimet janë bërë me kërkesën e Muharremit për shkak se natyrën e punës në kohën që jam takuar me të dhe hapësirën kohore nuk e kam pasur me shku dikun”, tha ai.
Dëshmitari shpjegoi se një nga detyrat e tij në polici kishte qenë trajtimi i burimeve të informacionit. Sipas tij, Qerimi gjatë takimeve i kishte thënë se kishte informacione për t’i dhënë, por ato nuk kishin qenë të sakta ose të plota.
“Një ndër detyrat e mia ka qenë tregimi i burimit të informacionit. Herë pas here më ka takuar dhe më ka thënë se ka ndonjë informacion. Jo se ka dhënë ndonjëherë shumë informacion ose diçka të veçantë, por zakonisht si arsyetim për takim ka qenë dhënia e informacionit. Kur ka thirrë ka thënë se ka me dhënë diçka. Shumica e informacioneve ose nuk kanë qenë informacione të sakta ose jo të plota për punën. Jo, Muharremi nuk ka qenë informator i Policisë së Kosovës”, deklaroi dëshmitari.
Ai tregoi edhe për një bisedë me Qerimin, gjatë së cilës, sipas tij, ia kishte bërë të qartë se, pas largimit nga policia, nuk mund të diskutonin më në të njëjtën mënyrë si më parë.
“Kjo ka ndodhur në këtë takimin që e potencova në vitin 2012, pak kohë kemi qenë në pauzë, pasi isha duke analizuar për të nxjerrë përfundime nga biseda me të, për një moment Muharremi më ka thënë se unë ty po të tregoj gjithçka, ti mua nuk po më tregon gjithçka. Ka ndryshuar mënyra e komunikimit pasi më nuk je pjesë e policisë. Nuk është më zyrtar policor dhe nuk mund t’i diskutojmë më, por nëse ki diçka me ia dhënë policisë mundesh me na dhënë, gjithmonë në cilësinë e një burimi të paregjistruar”, tha ai.
Duke folur për dyshimet lidhur me bashkëpunimin e Qerimit me Shërbimin Sekret Serb, BIA, dëshmitari tha se për këtë kishte mësuar nga mediat pas arrestimit të tij. Ai shtoi se, duke parë më vonë akuzat ndaj Qerimit, kishte krijuar përshtypjen se takimet me të mund të kishin shërbyer për të mbuluar aktivitetin për të cilin akuzohet.
“Sa i përket bashkëpunimit të tij me BIA, atë e kam mësuar nga mediat pas arrestimit të tij. Me Muharremin, pas takimit të parë që e kemi bërë pas 10 viteve, ka qenë ai që më ka thirrur, nuk ka qenë asnjë informacion që nuk ka pasur rëndësi. Gjatë kësaj kohe që jemi takuar pas 10 viteve, zakonisht ka qenë insistimi i tij me u taku. Pas arrestimit të tij, kuptova nga mediat për çka akuzohet, ku është një konkluzion i imi që një ndër arsyet që ky ka ardhë me u taku me mua, nëse e ka kryer aktivitetin që akuzohet, ta ketë si mbulesë takimi me mua”, tha ai.
Dëshmitari shtoi se gjatë takimeve kanë biseduar edhe për çështje që lidhen me natyrën e punës së tij, por Qerimi nuk e kishte pyetur drejtpërdrejt për informacione specifike.
“Ne kur jemi taku kemi biseduar shumë gjëra që lidhen me natyrën e punës, gjatë bisedës mund të ketë kuptuar diçka, por nuk më kanë pyetur asnjëherë në mënyrë direkte”, tha ai.
Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi akuzohen për spiunazh. Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës më 19 shkurt 2025, ata dyshohet se i kanë dhënë informacione Shërbimit Sekret Serb (BIA) lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), masakrat në Kosovë, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë zhvilluar takime fizike në Serbi me një zyrtar të lartë të BIA-s dhe një ish-komandant të Policisë së Serbisë, si dhe dyshohet se kanë transmetuar informacione përmes telefonave dhe postës elektronike. Muharrem Qerimi akuzohet edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.
Në seancën e fundit, të mbajtur më 9 tetor, gjykimi kishte nisur rishtazi për shkak të zëvendësimit të njërit prej anëtarëve të trupit gjykues. Të dy të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzën e spiunazhit. Në seancën fillestare të 17 marsit 2025, Qerimi e kishte pranuar fajësinë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.
