“I martuar me një amerikane, probleme me ligjin në ShBA” – shoqja e Arlindës flet për ish-burrin e të ndjerës

Prishtinë | 27 Tet 2026 | 14:08 | Nga Ekonomia Online

Anna Zhubi, shoqe e afërt e Arlinda Zekajt, e cila dyshohet se u vra nga ish-kunati i saj në Pejë, ka folur për njohjen dhe raportin që kishte me të ndjerën.

Në emisionin “Kosova Today”, Zhubi e ka përshkruar Arlindën si një grua të dashur, të sinqertë dhe të afërt, duke thënë se ajo i kishte të gjitha cilësitë që e karakterizojnë një grua të mirë dhe të respektueshme.

“Përveç se ishte e fortë, kjo është jashtë diskutimit, Arlinda ishte një njeri shumë i dashur, i afërt, i sinqertë dhe i butë. Ajo i kishte të gjitha karakteristikat pozitive të një gruaje që kërkohej në rrethin tonë: të ishte nuse e mirë, e respektueshme, e dashur, e afërt dhe e butë”, ka deklaruar ajo.

Zhubi ka treguar se me Arlindën ishte njohur përmes bashkëshortëve të tyre, të cilët ishin shokë.

Ajo ka deklaruar se bashkëshorti i Arlindës kishte pasur probleme me ligjin në ShBA shumë vite para lidhjes me të, përfshirë një rast të mëhershëm të dhunës në familje dhe burgosjen.

“Ne u njohëm përmes bashkëshortëve tanë, të cilët ishin shokë, dhe kështu filloi njohja jonë. Jetoni, në fakt, kishte probleme në Amerikë shumë kohë para Arlindës. Qysh në vitet 2000-2001, ai ishte i martuar me një shtetase amerikane, me të cilën kishte dy vajza binjake. Që atëherë ishte denoncuar për dhunë në familje dhe ishte burgosur për vite me radhë. Si rezultat i atij burgimi, ai i humbi kontaktet me dy vajzat. Fakti që ai ishte një lloj dhunuesi nuk ishte diçka e re në lidhje me Arlindën”, ka deklaruar ajo në “Kosova Today”.

Të ngjashme