Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në përurimin e hapësirave të renovuara të Njësisë Koronare në Klinikën e Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku janë investuar 211 mijë euro, raporton Ekonomia Online.
Gjatë ceremonisë, Kurti tha se investimet në QKUK po kontribuojnë në transformimin e hapësirave shëndetësore, përmirësimin e kushteve për pacientët dhe krijimin e një ambienti më të përshtatshëm për punën e mjekëve specialistë dhe infermierëve.
Kurti rikujtoi gjithashtu se para gjashtë muajsh ishte përuruar hapësira e renovuar e Kardiologjisë Invazive, ku ishte instaluar një angiograf i ri, investim që kap vlerën mbi një milion euro dhe që, sipas tij, tashmë është në shërbim të pacientëve dhe po ndihmon në uljen e listave të pritjes.
“Të nderuar pranishëm, hap pas hapi hapësirat e QKUK-së po renovohen aq thellësisht saqë po transformohen. Me secilin investim po sigurohen edhe pajisjet moderne, po krijohen kushte më të mira për shërim për pacientët dhe njëkohësisht mundësi më të mëdha për shërim për ta, meqenëse këto kushte i dedikohen edhe atyre që kujdesen për pacientët, përkatësisht mjekëve specialistë dhe infermierëve. Para gjashtë muajsh ne u takuam këtu që ta përurojmë hapësirën e transformuar të Kardiologjisë Invazive, kur edhe u instalua angiografi i ri. Ky investim, i cili e kalon vlerën prej 1 milion euro, tash është në shërbim të pacientëve dhe po ndihmon në uljen e listave të pritjes”, ka thënë Kurti.
Ai theksoi se në Njësinë Koronare pacientët kanë nevojë për mbikëqyrje të afërt, trajtim dhe kujdes të vazhdueshëm, duke vlerësuar se hapësirat e reja do të ndihmojnë në ofrimin e shërbimeve më cilësore shëndetësore.
Të dyja fazat e investimeve janë realizuar me mbështetjen e Qeverisë së Luksemburgut, për të cilën kryeministri shprehu mirënjohje.
Kurti theksoi se rezultatet e këtij bashkëpunimi po reflektohen në punën e përditshme të klinikës dhe në shërbimet që marrin qytetarët e Kosovës.
“Ndërkaq, sot jemi për të përuruar hapësirën e transformuar të Njësisë Koronare në Klinikën e Kardiologjisë, në vlerë prej 211 mijë euro. Në këtë njësi pacientët kanë nevojë për mbikqyrje të afërt, trajtim dhe vëmendje të përhershme. Për ta, këto hapësira janë vendi ku kalojnë ditë të vështira, por edhe kur nisin të marrin veten. Për familjarët e tyre është e rëndësishme ta dinë se më të dashurit e tyre po marrin kujdesin e nevojshëm, në kushte të mira dhe nga profesionistë të përgatitur”, ka shtuar ai.
“Të dyja këto faza të investimeve janë realizuar me mbështetjen e Qeverisë së Luksemburgut, ndaj së cilës jemi shumë falënderues. Rezultatet e kësaj mbështetje shihen këtu, në punën e përditshme të klinikës dhe në shërbimet cilësore që i marrin qytetarët tanë”, ka thënë ndër të tjera Kurti.
Ai, ka paralajëmruar se së shpejti do të jenë përsëri në QKUK, saktësisht në Kardiologji për renovime dhe transformime të reja.
“Falënderoj ministrin Vitia, ekipet që kanë punuar me realizimin e projektit dhe juve profesionistë shëndetësorë që me punë i ktheni investimet në kujdes për pacientët. Pra, ndonëse koha kalon e që të gjithë mplakemi, klinikat po renovohen një nga një, ato po bëhen më të reja, për ditë të vështira kushte më të mira, ashtu që të kemi sa më shumë shërim dhe shërimi të jetë sa më i shpejtë. Ne e kemi marrë me prioritet Kardiologjinë, sepse ju e dini që vdekjet më të shpeshta tek ne janë pikërisht nga sëmundjet kardiologjike. Andaj, së shpejti do të jemi përsëri në QKUK, përsëri në Kardiologji për të nisur punimet për renovime, përkatësisht transformime të reja”, ka deklaruar Kurti.
Kurse, ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietztheksoi rëndësinë e investimit, duke rikujtuar se sëmundjet kardiovaskulare vazhdojnë të jenë ndër shkaktarët kryesorë të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në Kosovë.
“Sëmundjet kardiovaskulare vazhdojnë të jenë ndër shkaktarët kryesorë të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në Kosovë. Pas çdo statistike qëndron një person, një familje dhe shpeshherë një garë kundër kohës. Kur bëhet fjalë për sëmundjet e zemrës, qasja në kujdes mjekësor cilësor dhe në kohë mund të bëjë gjithë ndryshimin. Pikërisht këtë po ndihmojmë ta arrijmë sot. Me hapësirat moderne, shtretërit shtesë dhe pajisjet e avancuara për monitorim, kjo njësi e re e kujdesit koronar do t’u ofrojë pacientëve trajtim më të sigurt dhe më efektiv në disa nga momentet më kritike të jetës së tyre. Gjithashtu, ajo do t’u sigurojë mjekëve dhe infermierëve kushte më të mira për ta kryer punën e tyre thelbësore”, tha ai.
Dietz shtoi se hapja e Njësisë Koronare vjen si vazhdim i investimeve në shërbimet kardiologjike, duke përmendur laboratorin e kateterizimit kardiak në Prishtinë, i cili u përurua në nëntor të vitit të kaluar.
“Kjo njësi e re vjen si vazhdim i suksesit të laboratorit të kateterizimit kardiak këtu në Prishtinë, të cilin e përuruam së bashku me kryeministrin në nëntor të vitit të kaluar. Që atëherë, më shumë se 3.000 pacientë kanë përfituar tashmë nga shërbimet e tij diagnostikuese dhe ndërhyrëse kardiake. Me hapjen e kësaj njësie të kujdesit koronar, po bëjmë një tjetër hap të rëndësishëm përpara, duke rritur kapacitetet e trajtimit të Klinikës së Kardiologjisë për rreth 30 deri në 40 për qind”, tha ai.
