Rusia godet Kievin, teksa nis armëpushimi në Oleshki

Prishtinë | 27 Tet 2026 | 16:47 | Nga Ekonomia Online

Armëpushimi i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, që synon ta mundësojë dërgimin e ndihmave humanitare në qytetin Oleshki, në jug të Ukrainës, hyri në fuqi në orët e para të 27 tetorit, pak pasi Rusia e sulmoi Kievin, duke goditur një konvikt universitar dhe objekte të tjera civile ku u vra të paktën një person.

Ky armëpushimi u ndërmjetësua javën e kaluar Melania Trump, bashkëshortja e presidentit amerikan, Donald Trump, dhe që u konfirmua nga Moska dhe Kievi. Ai ishte i nevojshëm sepse gjendja në Oleshki është tejet e rëndë. Ky qytet në vijën e frontit ndodhet në prag të katastrofës, ndërsa popullsia e mbetur aty përbëhet kryesisht nga të moshuar që kanë nevojë urgjente për kujdes mjekësor, barna, ushqim dhe ujë të pijshëm.

“Armëpushimi ka filluar dhe pala ukrainase po i përmbush zotimet e veta”, shkroi në Telegram më 27 tetor Dmytro Lubinets, Avokati i Popullit në Ukrainë.

“Sot, në orën 3:00 të mëngjesit sipas kohës së Kievit dhe në orën 4:00 sipas kohës së Moskës, u vendos armëpushimi në zona të caktuara që lidhen me misionin humanitar”, shtoi ai.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se ka ndalur sulmet në drejtimin e Hersonit dhe se ka vendosur një “regjim armëpushimi” në prag të një operacioni të planifikuar humanitar në Oleshki.

Petro Andryushchenko, ish-këshilltar i kryetarit të bashkisë së Mariupolit, i cili tani drejton Qendrën për Studimin e Pushtimit, tha për Current Time se operacionet për çminimin e zonave pranë Oleshkit pritet të nisnin më 27 tetor. Më pas, është planifikuar dërgimi i një autokolone humanitare dhe një operacion evakuimi më 30 tetor. Megjithatë, kufizimet e vendosura nga Rusia po pengonin evakuimin më të gjerë të civilëve.

“Dje pamë se rusët kishin sjellë një njësi xheniere, e cila duhet ta kryejë këtë punë. Prandaj, shpresojmë që procesi të nisë vërtet sot”, tha Andryushchenko.

“Automjetet e evakuimit pritet të mbërrijnë drejtpërdrejt te ndërtesa e spitalit në Oleshki. Pikërisht aty duhet të nisë evakuimi”, shtoi ai.

Oleshki ndodhet në bregun e lumit Dnjepër të pushtuar nga Rusia, përballë Hersonit, kryeqytetit të rajonit me të njëjtin emër. Para nisjes së pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, në shkurt të vitit 2022, qyteti kishte rreth 24.000 banorë.

Zyra e Melania Trumpit vlerëson se në qytet kanë mbetur nga 1.700 deri në 2.000 persona, përfshirë rreth 50 fëmijë. Besohet se shumica janë të moshuar që nuk kanë mundur ose nuk kanë dashur të largohen. Që nga viti 2022, nuk është kryer asnjë regjistrim zyrtar demografik.

Qyteti ka përjetuar vite të tëra luftimesh, zhvendosjesh të popullsisë dhe izolimi. Shkatërrimi i digës së afërt të Kahovkës, në qershor të vitit 2023, e përkeqësoi edhe më shumë gjendjen, pasi vlerësohet se rreth 90 për qind e territorit të Oleshkit u përmbyt.

Sulmet ruse godasin Kievin, ndërsa Zelensky kërkon mbrojtje ajrore
Rusia e sulmoi Kievin në orët e vona të 26 tetorit, duke goditur një konvikt universitar dhe objekte të tjera civile, si dhe duke vrarë të paktën një person. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje partnerëve të Ukrainës që t’i sigurojnë vendit “mjetet e duhura” për t’u mbrojtur.

Forcat ruse lëshuan gjatë natës 16 raketa balistike dhe 280 dronë drejt Ukrainës, tha Zelensky më 27 tetor. Ndërkaq, Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se mbrojtja ajrore ukrainase ka rrëzuar dy raketa balistike dhe 255 dronë.

“Rusia vazhdimisht po ndërmerr hapa të rinj drejt përshkallëzimit”, tha udhëheqësi ukrainas.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, tha se të paktën 14 persona u plagosën nga sulmet, “shumica prej të cilëve studentë të një konvikti universitar”.

Klitschko njoftoi gjithashtu se një sulm rus kishte dëmtuar një urë të rëndësishme që kalon mbi lumin Dnjepër në Kiev.

“Ekspertët po vlerësojnë shkallën e dëmeve në Urën Jugore. Qarkullimi mbi urë aktualisht është i mbyllur”, shkroi ai në Telegram.

“Pikërisht në rrethana të tilla, kur kërcënimi është i vazhdueshëm, kur sulmet mund të ndodhin në çdo moment dhe të godasin drejtpërdrejt qytetet dhe fshatrat, vonesat artificiale në furnizimin e Ukrainës me sisteme të mbrojtjes ajrore i shërbejnë terrorit”, tha Zelensky në një postim në rrjetet sociale.

“Është e rëndësishme që partnerët tanë ta kuptojnë se Ukrainës i nevojiten mjetet e duhura për të shkatërruar raketahedhësit balistikë të Rusisë. Kjo do të ishte mënyra më efektive për të shpëtuar jetë. Është e rëndësishme që bota ta shohë se Rusia nuk po tregon asgjë tjetër përveç dëshirës për të vrarë dhe për të vazhduar luftën”, shtoi ai.

Në raportin e fundit, të publikuar më 26 tetor, Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar Hetimor i Kombeve të Bashkuara për Ukrainën tha se autoritetet ruse kishin kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndër të tjera, duke sulmuar civilët dhe infrastrukturën kritike energjetike.

Ligjvënësit amerikanë po kundërshtojnë vendimin e presidentit Donald Trump për t’i lehtësuar kufizimet ndaj importeve të energjisë ruse dhe po kërkojnë garanci se Kievi do të vazhdojë të ketë qasje në mbështetjen kritike ushtarake dhe të inteligjencës nga SHBA-ja.

Përmes një sërë nismash legjislative, hetimesh të Kongresit dhe thirrjesh drejtuar administratës, republikanët dhe demokratët kanë paralajmëruar se vendimet që i sjellin përfitime Moskës ose dobësojnë aftësitë luftarake të Ukrainës mund ta cenojnë sigurinë kombëtare të SHBA-së, ta dobësojnë autoritetin e Kongresit dhe ta zgjasin luftën e Rusisë.

Kundërshtimet vijnë pasi administrata amerikane autorizoi transaksione që përfshijnë naftën dizel të Rusisë, në një kohë kur u raportua se Ukrainës i ishte kufizuar qasja në sistemin satelitor Starlink të kompanisë SpaceX dhe në sistemin e komunikimit satelitor të nivelit ushtarak, Starshield.

Zyrtarët ukrainas thonë se ndërprerjet kanë ndikuar në operacionet ushtarake, megjithëse ditët e fundit kanë deklaruar se shpejtësia e lidhjes satelitore është rikthyer. Megjithatë, ende nuk dihet qartë se kush i vendosi kufizimet.

Pavarësisht provave të shumta që dëshmojnë të kundërtën, zyrtarët rusë mohojnë se po shënjestrojnë infrastrukturën civile në konfliktin që ka vazhduar që kur Kremlini nisi pushtimin në shkallë të plotë të vendit fqinj, në shkurt të vitit 2022.

Universiteti i goditur gjatë sulmit u identifikua si Universiteti Shtetëror i Tregtisë dhe Ekonomisë (SUTE), një nga institucionet më të mëdha të arsimit të lartë në Kiev, me më shumë se 15.000 studentë.

Udhëheqësit nordikë bisedojnë me Putinin dhe Zelenskyn
Zelensky tha më 27 tetor se kishte biseduar me presidentin e Finlandës, Alexander Stubb, dhe kryeministrin e Norvegjisë, Jonas Gahr Store, pas telefonatave që ata kishin zhvilluar me presidentin rus, Vladimir Putin.

“Diskutuam përgatitjet për takimin trepalësh të planifikuar për në nëntor, në nivel ekipesh ukrainase, amerikane dhe ruse”, shkroi Zelensky në një postim në rrjetin X pas bisedës.

“Finlanda dhe Norvegjia, si vende që kufizohen me Rusinë, kanë interes të veçantë për marrëveshje sigurie, të qëndrueshme dhe të besueshme”, shtoi ai.

Udhëheqësit nordikë thanë se bisedimet e tyre me Putinin u përqendruan te përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës, në prag të takimeve të ardhshme në Abu Dabi.

Kremlini e konfirmoi bisedën, duke thënë se Putini kishte këmbëngulur se paqja është e mundur vetëm nëse interesat e Rusisë merren plotësisht parasysh.

Kremlini tha gjithashtu se presidenti rus kishte fajësuar politikat e Bashkimit Evropian dhe NATO-s për zgjatjen e luftës në Ukrainë, si dhe kishte informuar udhëheqësit për fillimin e një operacioni humanitar në Oleshki./REL/

Të ngjashme