Mes lotësh dhe emocionesh të mëdha, sot në fshatin Vitomiricë të Pejës iu dha lamtumira e fundit Arlinda Zekajt, e cila u vra mizorisht nga kunati i saj vetëm pak orë pasi kishte raportuar në polici ish-bashkëshortin e saj, raporton Ekonomia Online.
Megjithatë, i dyshuari për vrasjen, vëllai i ish-bashkëshortit të saj, vazhdon të jetë në arrati, ndonëse institucionet e sigurisë janë mobilizuar për ta arrestuar.
Prapa grilave ka përfunduar Jeton Syla, ish-bashkëshorti i të ndjerës. Gjykata Themelore ia ka caktuar një muaj paraburgim.
Megjithatë, asnjë zyrtar nga Prokuroria apo Policia nuk ka dhënë dorëheqje, ndonëse e ndjera u kishte drejtuar institucioneve një letër përmes së cilës kishte kërkuar mbrojtje dhe siguri.
Vrasja e saj ka alarmuar edhe institucionet.
Të hënën, për këtë rast u zhvillua një debat i ashpër në Kuvendin e Kosovës me akuza dhe kundërakuza.
Deputetët e partive opozitare kërkuan dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, ndërsa kjo e fundit deklaroi se e mbështet kërkesën e Kuvendit për zhvillimin e një hetimi parlamentar.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se me kërkesën e tij rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt do ta trajtojë Prokuroria Speciale.
Sipas Sveçlës, vendimet e institucioneve në Pejë, përfshirë ato të Qendrës për Punë Sociale, Prokurorisë dhe Gjykatës, janë të çuditshme.
Pas një seance që zgjati rreth gjashtë orë, Kuvendi miratoi me 67 vota për një rezolutë prej 14 pikash lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti bëri të ditur të martën se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë kanë edhe 54 orë kohë për të dorëzuar raportin lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Zekaj, 49-vjeçare, u qëllua për vdekje me sëpatë të dielën në mbrëmje në Vitomiricë të Pejës.
I dyshuari për vrasjen është kunati i saj, i cili, sipas autoriteteve, ndodhet në arrati. Tri ditë para se të vritej, ajo kishte njoftuar për rrezikun përmes një letre drejtuar Prokurorisë në Pejë.
“Uroj të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, kishte shkruar Zekaj.
Pavarësisht alarmit të ngritur dhe ankesave të saj drejtuar institucioneve, rasti përfundoi në mënyrë tragjike.
Vetëm gjatë këtij viti, në Kosovë janë vrarë tetë gra, ndërsa që nga paslufta, 97 grave u është marrë jeta nga bashkëshortët apo familjarët e tyre.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka bërë thirrje për revoltë kombëtare në mbrojtje të jetës dhe sigurisë së grave në Kosovë, pas vrasjes së Arlinda Zekajt.
Protesta është paralajmëruar të mbahet të mërkurën, në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Nga aty, protestuesit pritet të marshojnë drejt Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës.