Banka për Biznes (BPB), në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), organizoi aktivitetin me temën “Vendimet, sfidat dhe mësimet nga përvojat reale të bizneseve”, ku përfaqësues të të dy institucioneve folën për rëndësinë e financimit, mbështetjes së ndërmarrjeve të reja, transformimit digjital dhe rritjes së konkurrueshmërisë së bizneseve kosovare, raporton Ekonomia Online.
Në fjalimet hyrëse, përfaqësuesit e BPB-së dhe BERZH-it vlerësuan potencialin e bizneseve në Kosovë dhe theksuan se, përveç financimit, ndërmarrjet kanë nevojë edhe për këshillim, trajnime, inovacion dhe përgatitje për zgjerim në tregjet ndërkombëtare.
Kryeshefja Ekzekutive e Bankës për Biznes, Mimoza Godanci-Aliu, tha se roli i bankës nuk kufizohet vetëm te dhënia e kredive, por përfshin edhe vlerësimin e ideve të biznesit dhe orientimin e ndërmarrjeve drejt investimeve të qëndrueshme.
Ajo bëri të ditur se gjatë vitit 2025, BPB-ja ka shpërndarë 168 milionë euro kredi për biznese, ndërsa deri në fund të shtatorit të këtij viti shuma ka arritur në 143 milionë euro.
“Banka në këtë fazë ka dy role kyçe. E para që të testojë validitetin e kësaj ideje dhe e dyta që idetë të cilat validohen t’i mbështesë. Shumë e rëndësishme të kuptohet ky fakt, sepse në këtë fazë edhe një jo e bankës është mbështetje për biznesin, është orientim për biznesin. Gjatë vitit 2025, BPB-ja vetëm për bizneset ka shpërndarë 168 milionë euro kredi biznesi, me më shumë se 3.000 biznese të financuara. Këtë vit shikojmë një trend të ngjashëm. Deri në fund të shtatorit kemi shpërndarë 143 milionë euro kredi biznesi, po flasim vetëm për kreditë e biznesit, me më shumë se 2.000 biznese të financuara. 25% e bizneseve që shërbehen në BPB janë në pronësi të të rinjve, dhe 16% e portofolit në BPB është në pronësi të të rinjve. Jo të gjitha kreditë që u jepen të rinjve mbështeten nga programi Youth in Business, mirëpo programi Youth in Business hap derën për ato biznese me ide të mira, por pa kolateral, pa histori kreditore, dhe ndoshta pa eksperiencë. Prandaj them që mbështetja e këtyre bizneseve u bë me ndihmën e këtij program”, ka deklaruar ajo.
“
Fjala e dytë e kësaj motoje të sotme është rritje. Ndërtimi i një biznesi është hapi i parë, rritja është sprovë e radhës. Për t’u rritur, bizneset kanë nevojë për më shumë se kapital. Ato kanë nevojë për procese moderne, prodhim efikas dhe teknologjinë e duhur. Edhe në këtë fazë të zhvillimit, Banka për Biznes nuk e shikon shpërndarjen e kredisë si qëllim në vetvete. Kreditimi është test dhe validim i investimit. Do të thotë, kur një bankë thotë po, biznesi vazhdon me më shumë vetëbesim. Në fakt, ndonjëherë edhe ne si bankë marrim kredi për t’u validuar edhe një herë si investim. Kështu që, jo të gjitha kreditë që i marrim nga BERZH-i apo nga ndonjë institucion tjetër janë kredi se na duhet likuiditet, mirëpo janë edhe kredi se na duhet validim. Pa marrë parasysh sa përvojë bën biznesi, validimi i një pale të tretë është i nevojshëm dhe i domosdoshëm. E është shumë e rëndësishme kur ky validim vjen nga një bankë, duke qenë se të dy kemi interesin e njëjtë. Biznesi do suksesin e do kthimin e kredisë, biznesi do rritjen dhe ne duam rritjen e portofolit. Biznesi do rrjetëzimin, edhe ne, siç po shikoni, duam rrjetëzimin dhe referenca. Shfrytëzoni këto konferenca sa më mirë që të jetë e mundur”, deklaroi Godanci-Aliu.
Ajo foli edhe për rëndësinë e transformimit digjital dhe investimeve në teknologji, duke theksuar se bizneset kosovare duhet të përgatiten për standardet dhe kërkesat e tregjeve evropiane.
Sipas saj, BPB-ja, në bashkëpunim me BERZH-in, po mbështet ndërmarrjet përmes programeve që synojnë rritjen e efikasitetit dhe zhvillimin e kapaciteteve të tyre.
“Në këtë pikë të rritjes, prapë partneriteti ynë me BERZH-in ka një rëndësi të veçantë me programin Go Digital, i cili mbështet transformimin e bizneseve, investimin në teknologji efikase dhe në teknologji të gjelbër. Dhe së fundi, jo më pak e rëndësishme, bizneset rriten për t’u bërë edhe më të konkurrueshme. Bizneset e Kosovës tashmë nuk konkurrojnë vetëm me dyqanin përballë. Ato synojnë tregje rajonale dhe tregje evropiane. Në këto tregje, standardet janë më të larta, klientët janë më kërkues, dhe efikasiteti e bën diferencën. Për t’u përkushtuar, për t’i mbështetur bizneset edhe në këtë pikë, kemi punuar shumë gjatë këtij viti me Akademitë e Biznesit, me programin që trajnon bizneset që synojnë tregje evropiane, t’i përmbushin standardet për konkurrueshmëri në këto tregje, dhe me këtë të rrisin edhe kapacitetin absorbues të granteve që vijnë me këto tregje. Gjatë këtij viti, Akademitë e Biznesit të organizuara në pesë qendra të Kosovës tashmë kanë mirëpritur më shumë se 300 klientë biznese që kanë përfituar nga këto trajnime. 300 klientë në pesë qendra, pa përfshirë Prishtinën dhe Ferizajn. Prishtina dhe Ferizaj janë të planifikuara në muajt në vijim, dhe nëse në sallë kemi biznese që nuk kanë marrë ftesën, do të takojnë analizën e tyre kreditor dhe të vizitojnë këto akademi. ‘Ndërto, rritu, konkurro’ nuk është vetëm moto e kësaj konference, është trajektorja e suksesit të biznesit, të klientëve tanë, dhe është trajektorja e vetëzhvillimit edhe të bankës sonë”, tha ajo.
Ndërkaq, kryesuesi i Zyrës së BERZH-it në Kosovë, Sergiy Maslichenko, vlerësoi komunitetin e biznesit në vend, duke veçuar kreativitetin, inovacionin dhe përkushtimin e sipërmarrësve.
Ai theksoi se bizneset janë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së Kosovës dhe se mbështetja e tyre duhet të përfshijë jo vetëm financim, por edhe këshillim profesional dhe trajnime.
“Kur mbërrita, u impresionova vërtet dhe jam ende i impresionuar nga komuniteti i biznesit, nga sipërmarrësit këtu, nga bizneset e drejtuara nga familjet, nga kreativiteti, inovacioni dhe dinamizmi. Çdo herë që shkoj për të vizituar klientët, çuditem se si njerëzit janë të përkushtuar, punëtorë dhe shumë sipërmarrës këtu, dhe kjo është vërtet një shtyllë kurrizore e ekonomisë së Kosovës. Mendoj se kjo është diçka për të cilën Kosova duhet të krenohet, dhe pavarësisht të gjitha llojeve të tjera të kufizimeve që lidhen me zhvillimin e infrastrukturës dhe kështu me radhë, mendoj se biznesi është një shtytës kyç i suksesit të Kosovës në të ardhmen. Si BERZH, siç e dini, ne mbështesim programe si ‘Rinia në Biznes’ dhe ‘Go Digital’, të cilat janë pjesë e diskutimit sot. Ne ofrojmë jo vetëm financim dhe linja krediti, por mendoj se çfarë është më e rëndësishmja, ne ofrojmë gjithashtu këshilla të dedikuara dhe trajnime. Ne kemi një ekip të dedikuar, një ekip këshillues të udhëhequr nga Leonora dhe anëtarë të tjerë të ekipit që ndihmojnë BPB-në dhe institucionet e tjera partnere për të edukuar dhe ndihmuar bizneset të rriten, të shkallëzohen dhe të konkurrojnë në të ardhmen”, tha ai.
“Mendoj se kjo është një pjesë e rëndësishme e modelit tonë të biznesit, dhe për këtë komponent të rëndësishëm, donatorët luajnë gjithashtu një rol kyç. Siç u përmend tashmë, Bashkimi Evropian, Italia dhe Luksemburgu kanë siguruar mbështetje për asistencë teknike për të mbështetur të gjitha këto trajnime dhe ngjarje të ndryshme. Kështu që, gjithashtu sot, do të kemi një sesion të dedikuar në fund të ditës me konsulentët e disponueshëm, kështu që mos ngurroni t’u afroheni atyre dhe të bëni pyetjet tuaja, dhe nëse keni ndonjë pyetje ose keni nevojë për mbështetje, ju lutemi t’u afroheni konsulentëve të dedikuar. Ky model është manifestuar ndoshta më së miri me BPB-në, e cila është i vetmi institucion financiar lokal me të cilin punojmë në Kosovë, por është më i vlefshmi. Ajo ka qenë gjithashtu pioniere e shumë programeve, sepse është një bankë më e vogël, por shumë inovative krahasuar me sektorin bankar në Kosovë, dhe për këtë arsye, të gjitha programet e reja, për shembull ‘Rinia në Biznes’, BPB-ja ishte e para, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që u bashkua pesë vjet më parë”, tha Maslichenko.
Në fjalimin e tij, Peter Bielik, drejtor i asociuar dhe udhëheqës për institucionet financiare në Mal të Zi në BERZH, u ndal te potenciali ekonomik i Kosovës, duke theksuar se popullsia e re dhe rritja ekonomike krijojnë mundësi për zhvillimin e bizneseve dhe forcimin e pozitës konkurruese të vendit.
“Prandaj, dëshiroj të ndaj atë që shoh vërtet pas gjithë kësaj përvoje në rajon, 10 vjet në Ballkan, por edhe në Evropën Qendrore nga vij. Dhe duke qenë se jam bankier dhe në fund të fundit kjo audiencë përbëhet kryesisht nga bizneset tuaja, unë e shoh Kosovën si një vend, si një hapësirë për t’u vëzhguar në vitet e ardhshme. E them këtë në kuptimin më të mirë të mundshëm, sepse Kosova kombinon dy burime kryesore në thelb: kombinon rininë dhe popullsinë e re, por gjithashtu përmban një potencial të pashfrytëzuar, për të cilin besoj se Kosova ende duhet të përcaktojë se si ta shfrytëzojë. Nëse e shihni nga perspektiva e terminologjisë së biznesit, shikojeni Kosovën si një histori të madhe rritjeje, e cila drejtohet nga popullsia më e re në të gjithë rajonin, gjë që mendoj se ju jep një epërsi dhe avantazh konkurrues vërtet të mirë për të ecur përpara. Arsyeja pse e besoj këtë është se Kosova është rritur ekonomikisht gjatë viteve të fundit. Kjo tregon forcën e ekonomisë; ajo nuk ka tejkaluar vetëm tregun në Ballkan, por edhe homologët e saj evropianë, gjë që ju jep një themel shumë të forte”, u shpreh ai.
“Së dyti është popullsia e re. Nëse shikoni statistikat dhe i krahasoni me rajonin, veçanërisht me BE-në, ju keni një brez më të ri për dekada të tëra. Vendet e tjera do të paguanin pasuri për të pasur këtë avantazh konkurrues. Pse besoj se kjo është e rëndësishme? Është e rëndësishme në shumë nivele: në nivelin e ekonomisë në përgjithësi dhe të bizneseve, sepse keni një popullsi të madhe novatorësh, njerëzish të gatshëm për të marrë rreziqe, njerëzish që janë të gatshëm të punojnë deri në orën 12 të mbrëmjes dhe të investojnë gjithçka për të realizuar idenë e tyre. Por gjithashtu ndihmon edhe në nivel makro, sepse aktualisht ajo që shohim në BE dhe në rajon është se pensionet po bëhen një problem i madh dhe kemi trazira në Francë, në thelb sepse ata po ndryshojnë vetëm pak pensionet e tyre. Dhe duke pasur parasysh se keni një brez të ri, shumica e popullsisë punon për fondin e pensioneve, gjë që i jep pak hapësirë fiskale qeverisë për të ndihmuar në zbatimin e politikave të duhura”, deklaroi Bielik.


