Mbi gjysmë ton drogë në Maqitevë të Suharekës, kërkohet paraburgim për dy të dyshuarit

Prishtinë | 27 Tet 2026 | 11:02 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve me inicialet M.A. dhe B.A., pas arrestimit të tyre lidhur me rastin e zbulimit të mbi gjysmë toni marihuanë në fshatin Maqitevë të Suharekës.

Sipas prokurorisë, arrestimi i tyre vjen pas hetimeve intensive e të vazhdueshme rreth aksionit të zhvilluar më 16 shtator 2025 në një stallë në zonën malore të këtij fshati, ku ishte sekuestruar sasia e madhe e narkotikëve, transmeton Klankosova.tv.

Në aksionin e vitit të kaluar, përveç mbi gjysmë toni marihuanë, organet e rendit kishin konfiskuar edhe armatim të rëndë dhe pajisje të ndryshme.

Një granatëhedhës (mortajë) dhe një raketë krahu, një pushkë gjuetie dhe fishekë, një traktor me rimorkio dhe vegla pune për kultivim e përpunim dhe pajisje kompjuterike dhe dëshmi të tjera materiale.

Gjithashtu, Prokuroria kishte lëshuar urdhër të përkohshëm për ngrirjen e dy parcelave të tokës në këtë fshat, me sipërfaqe prej 1,963 dhe 1,438 metrash katrorë.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, M.A. dhe B.A. dyshohet se kanë vepruar në bashkëkryerje me personin e tretë, F.N., me qëllim kultivimin e bimëve të kanabisit dhe përgatitjen e narkotikëve për shitje dhe shpërndarje.

Ata ngarkohen me veprat penale, “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Përveç këtyre, ndaj të dyve rëndon edhe vepra penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit M.A., më 26 tetor 2026, policia gjeti dhe sekuestroi një pushkë gjysmë-automatike me shtatë fishekë, ndërsa të dyshuarit B.A. i ishte sekuestruar një pushkë gjuetie njëtytëshe gjatë bastisjeve të shtatorit 2025.

Prokuroria Themelore në Prizren theksoi se mbetet e përkushtuar në luftimin e krimit dhe vendosjen e autorëve para drejtësisë.

Të ngjashme