U nënshkrua kontrata për ndërtimin e pesë impianteve të ujërave të ndotura në TC “Kosova B”

Prishtinë | 01 Pri 2026 | 19:12 | Nga Ekonomia Online

Në ambientet e Termocentralit “Kosova B” është mbajtur ceremonia zyrtare e nënshkrimit të kontratës për ndërtimin e pesë impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura dhe një objekti për magazinimin e kimikateve, në kuadër të projektit që synon përmirësimin e cilësisë së ujit të lumit Sitnica.

Projekti parasheh krijimin e një sistemi të integruar dhe afatgjatë për menaxhimin e rrjedhave të ujërave të ndotura në termocentral, duke siguruar operim më të sigurt, të qëndrueshëm dhe në përputhje me standardet bashkëkohore mjedisore.

Me këtë rast, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se projekti është një hap i madh drejt mbrojtjes së mjedisit në vend.
“Ky projekt përputhet plotësisht me prioritetet tona sektoriale për forcimin e infrastrukturës energjetike publike si një shtyllë kyçe e sigurisë së furnizimit me energji. Prioriteti ynë nuk ka qenë vetëm ruajtja e kapaciteteve gjeneruese, por përmirësimi i tyre duke i bërë më të besueshme, më efiçiente dhe në përputhje me standardet mjedisore”, deklaroi Rizvanolli.

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë Ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli Dalipi, Shefin e Bashkëpunimit në BE, Hubert Perr, si dhe përfaqësues të KEK-ut dhe UNOPS-it.

Gjatë prezantimit u theksuan objektivat dhe ndikimi i projektit, i cili synon ndërtimin e një sistemi të avancuar për trajtimin e ujërave industriale, atyre me përmbajtje vajrash, ujërave të ndikuara nga kimikatet, rrjedhjeve nga depozitat e qymyrit, ujërave atmosferike dhe atyre sanitare.

Projekti pritet të sjellë përmirësime të ndjeshme në reduktimin e ndotjes së lumit Sitnica dhe të kontribuojë në arritjen e standardeve më të larta mjedisore dhe shëndetësore.

Me vlerë 12 milionë euro, projekti financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNOPS, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Korporatën Energjetike të Kosovës.

Të ngjashme