Fyerjet ndaj Haradinajt dhe familjes së tij, OVL-UÇK: Përderisa pushteti nuk reagon, ai legjitimon çdo fyerje

Prishtinë | 04 Pri 2026 | 14:16 | Nga Ekonomia Online

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dega në Pejë, ka reaguar ashpër ndaj fyerjeve të bëra publikisht ndaj ish-komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, dhe familjes së tij, përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale.

Përmes, një postimi në profilin e tyre në rrjetin social Facebook, nga kjo organizatë thonë se të sulmosh një familje të tillë do të thotë të sulmosh vetë themelet mbi të cilat është ngritur Kosova.

“Retorika helmuese nuk shfaqet nga hiçi. Ajo ushqehet dhe kultivohet. Për dy dekada me radhë, bartësit aktual të pushtetit, me narrativën e tyre përçarëse, krijuan këtë klimë të helmuar, për të cilën mbajnë përgjegjësi. Kur përçarja përdoret si mjet politik dhe gjuha e urrejtjes tolerohet apo edhe stimulohet, atëherë degradimi bëhet normë|, thuhet në reagim.

Reagimi i plotë:

Fyerjet ndaj ish-komandantit të UÇK-së për Zonën Operative të Dukagjinit Ramush Haradinaj, si dhe familjes së tij shkelin çdo kufi të pranueshëm njerëzor. Ato nuk janë thjesht sulme personale, por goditje të drejtpërdrejta ndaj një figure që mishëron sakrificën, qëndresën dhe idealin e lirisë. Ramush Haradinaj është prej heronjve të gjallë të këtij vendi, ndërsa familja e tij përfaqëson një shtyllë të fortë vlerash kombëtare, të ndërtuara mbi nderin, guximin dhe përkushtimin ndaj atdheut.

Të sulmosh një familje të tillë do të thotë të sulmosh vetë themelet mbi të cilat është ngritur Kosova.

Retorika helmuese nuk shfaqet nga hiçi. Ajo ushqehet dhe kultivohet. Për dy dekada me radhë, bartësit aktual të pushtetit, me narrativën e tyre përçarëse, krijuan këtë klimë të helmuar, për të cilën mbajnë përgjegjësi. Kur përçarja përdoret si mjet politik dhe gjuha e urrejtjes tolerohet apo edhe stimulohet, atëherë degradimi bëhet normë.

Përderisa pushteti nuk reagon, ai legjitimon çdo fyerje që synon të poshtërojë ata që mbajtën barrën më të rëndë të Luftës Çlirimtare. Kjo nuk është rastësi. Inati dhe ndasia kanë zënë vendin e unitetit kombëtar.

OVL-UÇK, dega në Deçan, kërkon nga organet e drejtësisë që personi përgjegjës për këto fyerje duhet të trajtohet me seriozitetin maksimal që parasheh ligji dhe të mbahet në paraburgim.

Çdo tolerim apo lehtësim i mundshëm është goditje për rendin publik, fyerje shtesë për dinjitetin e familjes së sulmuar. Drejtësia nuk mund të jetë e butë përballë akteve që cenojnë nderin e atyre që i dhanë gjithçka këtij vendi. Një qasje e tillë përbën dobësi institucionale dhe përçmim i vlerave të lirisë.

Ata që përdhosin emrat e lidhur me çlirimin, nuk duhet të presin as mirëkuptim e as mëshirë.

Të ngjashme