Fenomeni ‘Trump Tweet’, si po ndikohen tregjet globale nga postimet në rrjetet sociale?

Prishtinë | 06 Pri 2026 | 14:17 | Nga Arsim Ajeti

Në epokën e komunikimit dixhital, hapësira për keqkuptime apo keqinterpretime mbetet disa herë më e madhe se ajo për t’u kuptuar saktë.

Sipas matjeve të fundit nga ‘PEW Research’, del se mbi 50% e të rriturve i marrin lajmet e përditshme nga rrjetet sociale, dhe përmes rrjeteve sociale Presidenti amerikan, Z. Trump preferon t’i përdorë ato si një mjet komunikimi në masë, duke anashkaluar protokollet e njohura diplomatike.

Postime të dedikuara jo vetëm audiencës globale apo mbështetësve ‘MAGA’, por edhe për rritje tarifore, marrëveshje tregtare, madje edhe për sulme ajrore siç kemi situatën aktuale në Iran.

Nuk është rastësi që llogaria zyrtare e Presidentit aktual amerikan konsiderohet mjeti më me ndikim në botë.

Që nga shfaqja e Facebook dekada më parë e deri tek TikTok, rrjetet sociale janë transformuar nga platforma për foto çasti në mjete të përditshme komunikimi.

Ndërkohë, rrjetet tjera si X dhe Truth Social janë bërë platforma të sofistikuara për komunikim të drejtpërdrejtë me audiencën dixhitale, dhe aty rëndom hasim Presidentin Trump duke postuar rregullisht rreth tarifave, ose duke paralajmëruar ndërhyrjet ushtarake. Dhe kjo padyshim se ndikon edhe në luhatjet e çmimeve në tregjet globale.

Thënë shkurt, Presidenti Trump, me ose pa vullnetin e tij, përmes mënyrës së tij të komunikimit në rrjetet sociale është bërë Presidenti më me ndikim në botë, dhe falë tij sot kemi termet si ‘Trump Tweet’ dhe ‘ TACO’.

Gjatë mandatit të tij të parë presidencial (2017-2021), Z. Trump akuzoi Kinën për ‘hile tregtare’ në një seri cicërimash në Twitter, dhe fill më pas vendosi masa drastike dhe tarifa shtesë. Dhe kjo bëri që tregjet globale të humbnin rreth 1 trilion dollarë në vlerë brenda një dite.

Jo vetëm që tregu i aksioneve S&P 500 u prek atë ditë, por edhe monedha kineze pati luhatje të mëdha, ndërsa ari u rrit ndjeshëm. Kjo ishte një “bombë dixhitale” nga Presidenti i SHBA-së dhe që nga ajo ditë kemi fenomenin që ekonomistët dhe investitorët e quajnë “Trump Tweet”.

Me rikthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar, shumë analistë të Wall Street menduan se ndikimi i tij në rrjetet sociale kishte mbaruar. Ironikisht, pas vetëm 24 orësh, Z. Trump përmes disa postimeve vërtetoi të kundërtën e asaj që u tha për ndikimin e tij në rrjetet sociale.

Ndoshta i vetmi ndryshim këtë herë është përdorimi i platformës më pak te njohur ‘Truth Social’. – në vend të Twitter.

Megjithatë, ndikimi që pritej të zbehej po rritet vazhdimisht, e tëra kjo si rezultat i postimeve konsistente nga Presidenti Trump që poston në disa platforma në të njëjtën kohë. Një ndryshim tjetër është mënyra më e drejtpërdrejtë dhe shumë më e paparashikueshme që po shkakton një zinxhir efektesh gjithandej.

Ditë më parë patëm mundësinë të lexonim se si Z. Trump e kërcënoi fjalë për fjalë Iranin se nëse marrëveshja nuk arrihet, ‘ai do ta shndërrojë vendin në pluhur dhe hi’ përmes bombardimeve masive. Ky paralajmërim ishte i mjaftueshëm për të rritur çmimet e naftës dhe për të zbehur vlerën e arit dhe dollarit.

Nga paralajmërimet tregtare deri te bombardimi i qendrave ushtarake iraniane, postimet e Presidentit Amerikan po trondisin tregjet globale.

Për shembull, një postim që aludon në “përparim të madh” në bisedimet me Iranin rriti automatikisht çmimet e aksioneve brenda një dite, ndërsa një paralajmërim i mëvonshëm për “zhdukjen” e rrjetit energjetik të Teheranit i çoi çmimet e naftës në 112 dollarë për fuçi, ndërsa aksionet ranë ndjeshëm në të njëjtën kohë.

Situata mbetet e tensionuar dhe e paparashikueshme në çdo aspekt, por nëse mund ta deshifrojmë ndonjë nga mesazhet e tij atëherë ka shumë të ngjarë që konflikti do perfundojë para 15 majit (data e takimit me superfuqinë tjetër globale Kinën).

Ky veprim mund të jetë gjithashtu një indikator i rëndësishëm për investitorët për të bërë parallogaritjet e tyre në lidhje me investimet e planifikuara në tregjet globale. Përveç, nëse Z. Trump hamendësohet ndërkohë apo ndryshon situata në terren, dhe e tëra kjo është vetëm një dromcë e paparashikueshmërisë që vjen nga ‘Trump Tweets”.

Të ngjashme