Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar përvjetorin e masakrës së Polacit, duke nderuar viktimat dhe dëshmorët e rënë në këtë ngjarje tragjike të luftës në Kosovë.
Në një postim në Facebook, ajo theksoi se kjo masakër mbetet një nga plagët më të rënda të historisë së afërt.
“Në përvjetorin e masakrës së Polacit, përulemi me nderim të thellë para kujtimit të 78 civilëve të pafajshëm dhe 8 dëshmorëve që ranë në një nga ngjarjet më të dhimbshme të historisë sonë të afërt”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo vuri në dukje se dhimbja vazhdon ende për shkak të personave të pagjetur, duke theksuar nevojën për drejtësi.
“Kjo plagë mbetet ende e hapur, pasi edhe sot ka të pagjetur, duke mbajtur gjallë dhimbjen dhe ankthin e familjeve të tyre. Kujtesa për ta nuk zbehet, ajo na obligon të mos harrojmë kurrë dhe të kërkojmë pa u ndalur drejtësi për krimet e kryera”, u shpreh ajo.
Haxhiu përkujtoi gjithashtu edhe betejën në Abri të Epërme në Drenicë, duke nderuar dëshmorët që ranë në atë përballje.
“Me të njëjtin respekt, kujtojmë edhe betejën në Abri të Epërme në Drenicë, ku ranë heroikisht dëshmorët Xhevat Demaku, Bedri Demaku dhe Imer Shala, duke u bërë simbol i sakrificës dhe i qëndresës për lirinë e vendit”, ka theksuar ajo.
Në fund, ajo nënvizoi rëndësinë e kujtesës dhe përgjegjësisë kolektive.
“Kujtesa nuk është vetëm nderim por edhe përgjegjësi. Është zotim se e vërteta nuk do të zbehet dhe se drejtësia do të mbetet kërkesë e përhershme. Lavdi e përjetshme martirëve dhe dëshmorëve të kombit!”, shtoi ajo.