Osmani: Nuk besoj që ka një qytetar të Kosovës që sot mund të thotë se unë i kam shkatërruar raportet me miqtë

Prishtinë | 07 Pri 2026 | 21:11 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë ndikim në përkeqësimin e marrëdhënieve me aleatët ndërkombëtarë, duke theksuar se raportet e Kosovës me partnerët strategjikë vazhdojnë të jenë të fuqishme, raporton Ekonomia Online

Osmani hodhi poshtë pretendimet për dëmtim të raporteve ndërkombëtare.

“Unë besoj që ju do ta keni qeverinë këtu në studio për të marrë qëndrimin e tyre rreth akuzave në raport me ta. Mirëpo, nuk besoj që ka një qytetar të Kosovës, qofshin ata edhe brenda mediave, qofshin ata në pushtet apo në opozitë, që sot mund të thonë që Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka shkatërruar raportet me miq apo e ka izoluar Kosovën, apo nuk i ka ndërtuar këto aleanca, sepse rezultatet flasin vetë“, u shpreh ajo.

Osmani thekson se aleanca me SHBA dhe vendet e Bashkimit Evropian është më e fuqishme.

“Dhe rezultatet janë të qarta:  Aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është më e fuqishme se kurrë më parë. Aleanca me shtetet evropiane është jashtëzakonisht e fuqishme. Aleanca me shtete të kontinenteve të tjera, të cilat kurrë as nuk janë vizituar, as nuk ka kontaktuar kush nga Kosova me ta në të kaluarën, janë edhe këto më të fuqishme se kurrë më parë“, thotë ajo në Pressing të T7.

Ajo thotë se ka pasur mundësi për njohje të reja mirëpo për shkak të zhvillimeve brenda Kosovës nuk janë realizuar vizita.

„Kemi njohje të reja, të cilat natyrisht kanë ardhur vitin e fundit për shkak se njohjet nuk vijnë vetvetiu; vijnë pas një pune të gjatë të cilën e kemi bërë ne si Presidencë. E ka dhe shumë njohje të tjera të cilat kanë qenë në pritje dhe plani ka qenë që unë t’i vizitoj gjatë muajve shkurt dhe mars, por për fat të keq, për shkak të zhvillimeve të brendshme u bë e pamundur. Dhe unë jam e bindur që do të vijnë në të ardhmen e afërt për shkak të punës jashtëzakonshme që e kemi bërë. Por ne duhet ta kuptojmë që ne nuk jemi më prioritet në tavolinat e botës demokratike qysh kemi qenë në vitin 2008. Unë atëherë kam qenë shefe e stafit të Presidentit dhe e kam parë se si kanë ardhur njohjet. Kanë qenë angazhim ekskluziv i Shtetit Amerikan dhe ne po aq jemi angazhuar pak a shumë sa kemi arritur“, theksoi ajo.

Të ngjashme