Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla një herë i akuzuar për hedhje të gazit lotsjellës në seancën e Kuvendit të Kosovës më më 21.03.2018, në Gjykatë ka thënë se veprimi i tij ka qenë veprim politik me qëllim që të ndalte faljen apo shitjen e 8 mijë hektarëve për Demarkacionin me Malin e Zi.
Sveçla iu drejtua Prokurorit të Prishtinës, Avni Namani se personat që kanë votuar për demarkacionin me Malin e Zi do të duhej të ishin të akuzuar e jo personat që kanë ndërmarrë veprime që të parandalojnë faljen apo shitjen e tokës së Kosovës.
“…të gjithë ata deputetë që kanë votuar këtë shkelje flagrante apo shitjen e territorit ajo çka po ndodhë këtu nuk bëhet fjalë për drejtës. Në çoftë se do të kishte drejtësi dhe ata që kanë falë territor, të përgjigjeshin para këtij prokurori apo prokurori tjetër”- tha Sveçla para gjyqtarit, Sabit Sadikaj.
Sipas Sveçlës, nuk do të hezitonte që përsëri të bënte një veprim të tillë me qëllim që ta parandalonte këtë veprim për faljen e territorit të Republikës së Kosovës.
“Çfarëdo aktiviteti që do të parandalonte shitjen e territorit unë nuk do të hezitoja ta bëja prap Prokuroi të merret me ata që copëtuan territorin e Republikës së Kosovës dhe te mos merret me ata qe tentuan ta ndalin atë copëtim”- tha Sveçla para gjykatës.
Seanca ka vazhduar me fjalën hyrëse nga Prokurori, Avni Namani i cili tha se do të vërtetohet se i akuzuari ka kryer veprën penale të hedhjes së gazit lotsjellës duke u bazuar në provat që gjinden në aktakuzë.
Namani i kërkoi Gjykatës që pas administrimit të gjitha provave i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.
Në anën tjetër, avokati Laur Prenaj që mbron, Xhelal Sveçlën ka thënë se akuza është më shumë politike sesa juridike.
Sipas tij, në provat e listuar gjendet ekspertiza që i ishte bërë objektit që nga prokuroria pretendohet se është gazi lotsjellës, në ekspertizë ky objekt e ka emërtimin E16.
Tutje sipas avokatit, nga fotoalbumi që është paraqitur si provë në aktakuzë, gjendet një foto e një objekti që del të jetë sprej e që emërohet E16.
“Dosja e teknikës kriminalistike që është lista e dëshmive të marra në sallë, në ditën kritike shohim se dëshmia E16 është një sprej dore me mbishkrim “NATO – Amerikan style“ e gjendur në trup gjatë kontrollit të deputetes Arbërie Nagafci në hyrje të Kuvendit të Kosovës. Kjo nënkupton që kjo ekspertize e cila është provë vendimtare në këtë proces, nuk ka lidhje as juridike as faktike me të mbrojturin tim”- tha Prenaj.
Seanca ishte paraparë që të vazhdoj me administrimin e provave materiale dhe personale, por që avokati Prenaj kërkoi nga Gjykata që të shtyhet seanca për një ditë tjetër, pasi i njëjti nuk është përgatitur për pjesën tjetër të gjykimit.
Këtë propozim të avokatit e kundërshtoi prokurori, Avni Namani i cili kërkoi që të vazhdohet seanca gjyqësore. /kallxo