Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë për zgjatjen e pasigurisë politike në vend, duke paralajmëruar për pasoja të drejtpërdrejta në stabilitetin ekonomik dhe klimën e të bërit biznes.
Në një komunikatë për media, kjo organizatë vlerëson se vendi ndodhet në një moment kritik, kur ekonomia ka nevojë për reforma dhe investime, por po përballet me bllokadë institucionale.
“Në një moment kritik, kur ekonomia e Kosovës ka nevojë urgjente për thellim të reformave strukturore, avancim të politikave fiskale dhe rritje të investimeve kapitale, vendi po përballet me një ngërç institucional që po pengon vendimmarrjen strategjike dhe zhvillimin afatgjatë”, thuhet në komunikatë.
Lidhja e Bizneseve u ka bërë thirrje partive politike që të gjejnë një zgjidhje të shpejtë për çështjen e Presidentit, duke shmangur vendin nga zgjedhjet e reja.
“I bëjmë thirrje spektrit politik që të gjejë një zgjidhje të menjëhershme dhe konsensuale për çështjen e Presidentit, duke shmangur vendin nga një cikël i ri zgjedhjesh të parakohshme”, thuhet më tej.
Sipas tyre, paqëndrueshmëria politike ka kosto direkte ekonomike dhe ndikon negativisht në besimin e investitorëve.
“Paqëndrueshmëria politike prodhon kosto të drejtpërdrejta ekonomike, duke krijuar pasiguri për investitorët dhe duke dobësuar besimin në institucionet vendore”, theksohet në reagim.
Organizata ka përmendur edhe disa nga sfidat aktuale ekonomike, përfshirë rënien e investimeve të huaja, përkeqësimin e bilancit tregtar dhe presionet inflacionare, duke kërkuar stabilitet dhe orientim të qartë ekonomik.
“Në këto rrethana, ekonomia e vendit kërkon vendimmarrje të shpejtë dhe të qëndrueshme institucionale, politika fiskale të përgjegjshme dhe rritje të investimeve kapitale”, thuhet në komunikatë.
Në fund, Lidhja e Bizneseve të Kosovës u bën thirrje të gjitha forcave politike që të veprojnë me përgjegjësi, duke vendosur stabilitetin institucional dhe zhvillimin ekonomik mbi interesat afatshkurtra.
“Kosova ka nevojë për stabilitet politik për të garantuar progres ekonomik”, përfundon komunikata.