U.d presidentja Haxhiu: Pak krime e godasin qenien njerëzore me aq egërsi sa dhuna seksuale në luftë

Prishtinë | 14 Pri 2026 | 17:43 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesja e detyrës së presidente, njëherit kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka mbajtur fjalim hyrës për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Ajo tha se ndezja e qirinjve për të mbijetuarit të dhunës seksuale është simbolikë e thjeshtë në dukje por e thëlle në domethënë.

“Së pari dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për secilin që ndër vite ka punuar me këmbëngulje për këtë kauzë. Ne sapo ndezëm qirinjtë në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, një simbolikë e thjeshtë në dukje, por e thellë në domethënie. Siç do të thoshte Martin Luther King, errësira nuk mund ta dëbojë errësirën. Këtë mund ta bëjë vetëm drita. Andaj sot kur themi “më kthe dritën”, flasim për dritën që i detyrohemi të vërtetës, për dinjitetin që u tentua të nëpërkëmbet dhe për jetën që u nda në dysh. Pak krime e godasin qenien njerëzore me aq egërsi sa dhuna seksuale në luftë, nga se përmes saj sulmohet rrënjësisht vetë dinjitetin njerëzor. Dhuna seksuale si një ndër mjetet më mizore të luftës nuk është dukuri e vonë apo një shfaqje rastësishme e brutalitetit njerëzor. Ajo është e rrënjosur thellë në historinë e luftërave si formë e përsëritur e nënshtrimit dhe shkatërrimit shoqëror. Që nga luftërat e lashta, trupat e grave janë trajtuar si pjesë e plaçkës së luftës dhe si territor që pushtohet bashkë me tokën. Në shekujt që pasuan, kjo praktikë nuk u ndal, por u rrit dhe u zhvillua drejt krimeve më të rënda, siç ndodhi gjatë dy luftërave botërore, me dhunimet masive në Evropë, shpesh të toleruara ose të padënuara nga strukturat ushtarake. Në disa raste ajo u institucionalizua si në sistemet e skllavërisë seksuale të vendosura nga ushtritë pushtuese. Në fund të shekullit XX, në konfliktet e ish-Jugosllavisë dhe në Ruandë, bota u përball me një të vërtetë që nuk mund të maskohej më. Dhuna seksuale që deri atëherë konsiderohej pasojë e luftës u pa si instrument i saj, ashtu siç edhe përdorej, me vetëdije të plotë si mjet terrori, si instrument poshtërimi e si një mënyrë për të shkatërruar bërthamën e një shoqërie”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha se Kosova do të vazhdojë të dëshmojë me vepra se në çështje të tilla nuk do të mungojë kujtesa dhe as drejtësia.

“Tashmë në proces janë 12 aktakuza për rastet e dhunës seksuale gjatë luftës, e kemi një vendim të formës së prerë, pra një vendim dënues, aktgjykim dënues për këtë krim gjatë luftës, e po ashtu dy vendime të tjera presin që të marrin formën e prerë. Por drejtësia mbetet e cunguar për aq kohë sa shumë prej autorëve të këtyre krimeve jetojnë sot të lirë në Serbi, të strehuar dhe të mbrojtur nga një shtet që ende nuk është përballur me përgjegjësinë e vet për krimet e kryera në Kosovë dhe që vazhdon të refuzojë bashkëpunimin e plotë në vënien e tyre para drejtësisë. Prandaj përgjigja jonë ndaj këtij krimi nuk mund të kufizohet në kujtesë ceremoniale. Ajo duhet të jetë politike, duhet të jetë juridike e morale. Politike sepse kërkon që shteti ynë të mos pushojë së kërkuari llogari; juridike sepse drejtësia duhet të përmbushet me ndjekje penale dhe dënim të kriminelëve; morale sepse mënyra se si një shoqëri trajton të mbijetuarit e saj tregon shumë për karakterin e saj. Po aq vendimtare është edhe beteja që zhvillohet brenda vetë shoqërisë sonë, për sa kohë një i mbijetuar ndjen ende nevojën të heshtë nga frika e paragjykimit. Detyra jonë mbetet e papërfunduar. Një shoqëri që ia lë viktimës barrën e turpit, e zgjat padrejtësinë përtej vetë krimit. Prandaj i takon edhe shoqërisë sonë të tregojë pjekurinë morale të një kombi që di të ndajë qartë viktimën nga turpi dhe autorin nga përgjegjësia. Dhe Republika jonë, Republika e Kosovës, do të vazhdojë të dëshmojë me vepra se në këtë çështje nuk do të mungojë as kujtesa, nuk do të mungojë as drejtësia dhe as përkushtimi institucional”, tha Haxhiu.

Të ngjashme