Reperi i njohur shqiptar Stresi ka njoftuar se do të kandidojë për një pozitë në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, duke shënuar kështu hyrjen e tij në politikë.
Përmes një postimi në facebook, Stresi ka bërë të ditur se kandidimi i tij nuk është vetëm një angazhim politik, por një përpjekje për të përfaqësuar të rinjtë dhe për të sjellë zërin e tyre në proceset vendimmarrëse, shkruan IndeksOnline.
“Sot kam vendosur të hedh një hap më shumë për vendin tim, për të rinjtë dhe për zërin e një brezi që shpesh është ndjerë i papërfaqësuar”, ka shkruar ai.
Stresi theksoi se kandidimi për Këshillin Kombëtar të Partia Demokratike e Shqipërisë përfaqëson përgjegjësi, përfaqësim dhe besim tek rinia shqiptare, ndërsa shtoi se përvoja e tij me sfidat e jetës së përditshme e motivon të kërkojë më shumë hapësirë për të rinjtë në politikë.
‘Kam ardhur nga rruga, nga jeta reale, nga sfidat që çdo i ri i njeh mirë. Prandaj dua që zëri ynë të dëgjohet aty ku merren vendimet.
Nuk ka më kohë për heshtje, për largime apo për dorëzim. Ka ardhur koha që rinia të ngrihet, të flasë dhe të marrë vendin që meriton.
Ftoj çdo të ri që beson te ndryshimi, te energjia e re dhe te Shqipëria që mund të bëhet më mirë, të bashkohet me mua në këtë rrugëtim.
Sepse e ardhmja nuk pret. Dhe ajo ndërtohet nga ne”, ka shkruar Stresi.