Krasniqi e emocionuar: Drita ka munguar, shumë histori mbetën të heshtura, por sot zëri ndriçon

Prishtinë | 14 Pri 2026 | 17:56 | Nga Ekonomia Online

Vasfije Krasniqi, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës, ka ndarë një mesazh të fuqishëm në Kuvendin e Kosovës gjatë Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës, raporton Ekonomia Online.

Ajo tha se për shumë vite, drita ka munguar në jetën e të mbijetuarve, por sot zëri ndriçon dhe se qirinjt përfaqësojnë jetën, kujtimet dhe forcën e të mbijetuarve të dhunës seksuale për të vazhduar përpara.

“Sot qëndroj para jush si një e mbijetuar, por mbi të gjitha si një zë që nuk zgjodhi heshtjen kurrë. 14 prilli nuk është vetëm një datë për mua, është një datë që ndez kujtimet, që ndryshoi jetën time përgjithmonë. Dhe pikërisht më 14 prill, ky kuvend bëhet një vend i veçantë i kujtesës, një vend ku dhimbja nuk fshihet, por ndriçon. Është një kujtesë, një thirrje dhe një shpresë. Qirinjtë që i ndezëm sot nuk përfaqësojnë vetëm një moment ceremonial, përfaqësojnë jetën tonë, kujtimet tona dhe forcën tonë për të vazhduar përpara. Në këtë sallë drita ka një kuptim tjetër, nuk është vetëm dritë qiriu, është prani, është respekt, është kujtim që nuk shuhet. Për shumë vite drita ka munguar në jetën e shumë të mbijetuarave. Heshtja, stigma dhe mungesa e mbështetjes familjare e shoqërisë ka bërë që shumë histori të mbeten të heshtura. Sot, përmes këtij akti kolektiv, ky kuvend bëhet një hapësirë ku heshtja thyhet dhe zëri ndriçon. Një hapësirë ku solidarizohen, nuk është vetëm fjalë, por është veprim i përbashkët. Çdo qiri që ndezëm sot është një mesazh i qartë: që të mbijetuarat nuk janë vetëm, zëri i tyre ka rëndësi dhe dinjiteti ynë duhet të mbrohet dhe të respektohet”, tha Krasniqi.

Të ngjashme