Në vitin 1993, mbi 40 policë serbë bastisën shtëpinë e Kadri Veselit, kështu raportohej për rastin

Prishtinë | 14 Pri 2026 | 21:53 | Nga Ekonomia Online

Familjet me bagazh patriotik vazhdimisht ishin përndjekur nga regjimi i Millosheviqit. Njëra nga to është edhe familja e Kadri Veselit, e cila ishte bastisur dhe torturuar disa herë nga forcat e policisë serbe, shkruan Demokracia.com.

Më 3 gusht të vitit 1993, mbi 40 policë serbë ishin futur në shtëpinë e Fazli Veselit, babait të Kadri Veselit.

Siç raportonte atë kohë gazeta “Bujku”, policët serbë e kërkonin Kadri Veselin, por ai nuk ishte në shtëpi.

Gjatë bastisjes, ata shqyen edhe flamurin kombëtar dhe e rrahën Fazli Veselin. Ky i fundit, pasi ishte rrahur, u kishte thënë forcave serbe se kurrë nuk do t’ua harrojë e as nuk do t’ua falë. Pas bastisjes ishte arrestuar babai i Kadri Veselit dhe dy vëllezërit e tij, Ismeti dhe Veseli.

Raportimi i plotë i datës 13 gusht 1993:

Siç njofton korrespondenti ynë nga Mitrovica, dje në lagjen Bair të Mitrovicës, herët në mëngjes, policët serbë (rreth 40 sish) bastisën shtëpinë e Fazli Veselit. Ata, përveç që kontrolluan çdo skutë, morën me vete libra e fotografi, si dhe shqyen flamurin shqiptar që ishte vënë në kornizë. Pastaj morën me vete Fazliun (66), Ismetin (38) dhe Veselin (29 vjeç), të cilët i mbajtën në SPB deri vonë pasdite.

Siç deklaroi Fazliu, policët gjatë bastisjes përmbysën gjithçka dhe shqetësuan tërë familjen, sidomos fëmijët. Njëri nga civilët, thekson Fazliu, më qëlloi me shpullë dhe, deri sa herën e tretë më goditi furishëm, iu drejtova se kurrë nuk do t’ia harroj e as nuk do t’ia fal. Keqtrajtimet vazhduan pastaj në lokalet e SPB-së. Preteksti i bastisjes ishte se e kërkonin djalin, Kadriun, për të cilin interesoheshin se me çfarë veprimtarie merrej, ku gjendej dhe ku i kishim armët. Mirëpo, Kadriu nuk ishte në shtëpi.

Të ngjashme