Kosova drejt një kufiri të ri inovacioni, Kurti: Ekonomia digjitale po bëhet shtyllë e rritjes në Kosovë

Prishtinë | 15 Pri 2026 | 11:22 | Nga Ekonomia Online

Me rastin e themelimit të ABSL Kosovo është mbajtur ngjarja “Kosova: Nga një destinacion pranë bregut në një kufi inovacioni”.

Ngjarja mblodhi përfaqësues nga sektori privat, institucionet dhe partnerët zhvillimorë për të diskutuar zhvillimin e sektorit ICT/BPO në Kosovë, sfidat dhe mundësitë për rritje, si dhe perspektivën për ta pozicionuar vendin si një destinacion konkurrues dhe inovativ në tregun ndërkombëtar, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e rritjes së sektorit digjital dhe ndikimin e tij në ekonomi dhe punësim.

“Kosova ka zgjedhur të punojë, të mësojë edhe të jetë e hapur ndaj botës. Mirë se ju gjej sot në këtë ngjarje dhe falënderoj organizatorët që e mundësuan këtë dialog. E shfrytëzoj këtë rast për ta uruar ABSL Kosovën për njëvjetorin, një vit i shkurtër në kohë por i rëndësishëm në rezultate. Sektorët e shërbimeve BPO dhe TIC janë ndër sektorët që po rriten më së shpejti në ekonominë tonë. Sot ata punësojnë drejtpërdrejt mbi 47,000 persona, të cilët përfaqësojnë jo vetëm ata persona që punojnë e menaxhojnë, krijojnë e zhvillojnë, por edhe familje, pastaj njerëz që blejnë shtëpi e prona të tjera, mandej të rinj që zgjedhin të qëndrojnë në Kosovë dhe në qytetet e tyre të cilat gjithnjë e më shumë po përparojnë. Concentrix, sponsori kryesor i këtij takimi, e ka kuptuar këtë shumë mirë dhe shumë herët. Vendimi i tyre për të hapur qendra jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Mitrovicë dhe Prizren, tregon besimin në potencialin e gjithë vendit tonë, jo vetëm të kryeqytetit. E vlerësoj këtë vizion dhe i falënderoj përzemërsisht për angazhimin e tyre. Sot, 11,410 biznese janë aktive në sektorin e ekonomisë digjitale dhe të shërbimeve profesionale e mbështetëse, me një qarkullim i cili ka arritur 2 miliardë euro në vitin që lamë pas, 2023, duke shënuar një rritje mesatare vjetore prej 16%. Nga këto, 78% sigurojnë të ardhura nga tregjet ndërkombëtare, kryesisht nga Gjermania, Zvicra dhe Austria. Kjo tregon se Kosova, përtej produkteve, eksporton aftësi dhe njohuri. Do të doja të ndalesha më gjatë në shifra sepse ka shumë për të diskutuar, megjithatë sot më është kërkuar të mos e bëj këtë, dhe me të drejtë, pasi DataforX do t’i prezantojë të dhënat më vonë. Prandaj, këtë pjesë po ua lë atyre sepse e bëjnë më saktë e më mirë”, tha Kurti.

Në vijim, ai theksoi edhe rolin e kapitalit njerëzor dhe të diasporës në zhvillimin e sektorit të shërbimeve dhe teknologjisë.

“Sipas raportit të Emerging Europe, Kosova ka numrin më të madh të studentëve në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për kokë banori në 23 shtetet evropiane të cilat i mbulon ky raport. Përmbi këtë, kemi lidhje të forta me mërgatën tonë, mbi 1 milion prej të cilëve jetojnë në vendet gjermanofolëse, një kapital i cili nuk mund të nënvlerësohet. Kjo reflektohet dukshëm në sektorin BPO (Business Process Outsourcing) sot, ku shumica e kompanive kanë pozita drejtuese si pronarë, drejtorë ekzekutivë apo edhe në funksione të tjera kyçe, por edhe si punonjës anëtarë të mërgatës sonë. Ata e njohin tregun evropian nga brenda, flasin mirë gjuhën e klientit dhe kuptojnë kulturën e biznesit ndërkombëtar”, thotë tutje ai.

Ndërsa, Henrik Riby, Zëvendësshef i Misionit dhe Shef i Bashkëpunimit për Zhvillim në Ambasadën e Suedisë, vlerësoi progresin e arritur nga ABSL Kosova dhe potencialin e sektorit për zhvillim të mëtejshëm.

“Në vetëm një vit, ABSL Kosova është etablua si një zë i fuqishëm dhe i besueshëm për sektorin e ICT-së dhe BPO-së, duke bërë bashkë kompanitë, institucionet dhe talentet rreth një vizioni të përbashkët: duke e pozicionuar Kosovën jo vetëm si një destinacion ‘nearshore’, por si një kufi të ri të inovacionit.

Kjo është një arritje e lëvdueshme. Suedia ka qenë prej kohësh një partner i përkushtuar i zhvillimit ekonomik të Kosovës, tashmë për mbi 25 vite. Bashkëpunimi ynë bazohet në një vizion të qartë: të mbështesim sisteme të biznesit përfshirëse, të qëndrueshme dhe konkurruese që krijojnë mundësi, veçanërisht për të rinjtë dhe për gratë. Dhe këtu po flasim për punë dinjitoze në ekonominë formale. Dhe kjo pjesë po rritet falë kompanive si ato që po formojnë ABSL-në sot. Ky vizion është i lidhur ngushtë, natyrisht, me prioritetet e vetë zhvillimit të Kosovës dhe me agjendën më të gjerë të integrimit evropian. Dhe brenda kësaj kornize, sektori i ICT-së dhe BPO-së dallohet si një nga nxitësit më premtues të rritjes, siç e përmendi edhe Kryeministri. Numri i njerëzve që janë tashmë të punësuar dhe që po punësohen është i lartë—rritja është më e lartë se në shumicën e sektorëve të tjerë. Sepse ai krijon vende pune cilësore, veçanërisht për rininë, mundëson integrimin në zinxhirët globalë të vlerës dhe forcon tregtinë e shërbimeve përtej kufijve. Dhe shpresoj që herën tjetër kur të përmendim tregtinë, të mos jetë vetëm Gjermania, Zvicra, Austria, por edhe Suedia. Sepse edhe ne po investojmë këtu. Mendoj se sistemi i Ericsson-it është një shembull i mirë. Ne kemi në Ericsson gjithashtu një qendër kërkimore të themeluar këtu para një viti; kemi disa kompani që po investojnë këtu, kështu që shpresojmë se do të rritemi. Kosova e ka njohur potencialin në këtë sektor. Dhe ajo që shohim sot është një ekosistem dinamik që po rritet në ambicie, aftësi dhe rëndësi ndërkombëtare. Dhe Suedia është shumë krenare që mbështet këtë transformim. Tani, përmes programit RECONOMY dhe faleminderit shumë Helvetas-it që po e menaxhon atë së bashku me Help-in—është një gjë vërtet e menaxhuar mirë. Ne e ndihmojmë këtë zhvillim në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne dëshirojmë të mbështesim zhvillimin ekonomik përfshirës dhe të gjelbër”, tha ai.

Kryesuesja e Departamentit të Inovacionit në Ministrinë e Industrisë, Sipërmarrjes, Tregtisë dhe Inovacionit, Luara Zherka foli për popullin e Kosovës dhe potencialin e tyre.

“Iniciativat si kjo përfaqësojnë më shumë se një aktivitet apo një forum. Këto janë platforma që bashkojnë zërat, fuqizojnë bashkëpunimin dhe ndërtojnë vizionin për sektorë shumë të rëndësishëm të vendit tonë, siç janë teknologjia e informacionit dhe komunikimit dhe shërbimet outsourcing, që kanë një bilanc shumë të qartë tregtar në vendin tonë. Këto janë, si të themi, dy shtylla kryesore të zhvillimit të qëndrueshëm në vendin tonë. Në çdo paraqitje time, rikthehem te një e vërtetë e thjeshtë, por njëkohësisht mendoj që është thelbësore. E ardhmja e zhvillimit ndërtohet mbi investimet në ditët e sotme në inovacione, teknologji dhe ndërmarrësi. Ditët e sotme nuk mund të imagjinohet asnjë progres apo një zhvillim, pa ndikimin e drejtpërdrejtë të inovacionit, teknologjisë dhe zhvillimit të ndërmarrësisë. Në këtë rrugëtim, Kosova ka një avantazh të jashtëzakonshëm: i ka njerëzit e saj. Një popullatë të re, dinamike, fleksibile dhe shumë të talentuar për të absorbuar njohuri të reja e, në kontekst të veçantë, ato në teknologji. Rreth 60% e qytetarëve tanë janë nën moshën 35 vjeç, ashtu siç e theksoi edhe kryeministri ynë, një potencial që na dallon në Evropë dhe na shtyn të mendojmë dhe veprojmë me më shumë guxim. Kur këtij potenciali ia shtojmë edhe një aset tjetër shumë të rëndësishëm po ashtu, shtrirjen e gjerë të internetit në rreth 100% të territorit tonë, bëhet e qartë se kemi mundësi të fuqishme dhe bazë solide për të ndërtuar një ekonomi moderne, të bazuar në ide dhe inovacion. Prandaj, ambicia jonë është e qartë: ta shndërrojmë Kosovën në një qendër konkurruese rajonale për shërbime digjitale dhe inovacione”, tha ajo.

Të ngjashme