Themelohet Garda për Mbrojtjen e Natyrës, Kurti: Shteti nuk do të tolerojë më degradimin e mjedisit

Prishtinë | 22 Pri 2026 | 12:23 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka njoftuar për themelimin e Gardës për Mbrojtjen e Natyrës, duke theksuar se kjo nismë shënon ndryshim të qasjes së shtetit ndaj mbrojtjes së mjedisit dhe parandalimit të dëmeve, ndërsa rikujtoi se në mandatin e kaluar janë ndarë 10 milionë euro për pastrimin e lumenjve, raporton Ekonomia Online.

Në Ditën Botërore të Tokës, përfaqësuesit institucionalë thanë se kjo gardë do të rrisë kapacitetet për monitorim dhe reagim ndaj krimeve mjedisore, duke përfshirë bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti tha se qeveria po udhëhiqet nga parimi se dëmtimi i natyrës nuk mund të mbetet pa reagim institucional.

“Asgjë nuk qëndron neutral kur dëmtohet natyra e mjedisit. Ky është parimi me të cilin jemi përcaktuar që të udhëhiqemi si qeveri dhe të cilin dëshirojmë ta promovojmë sot në Ditën Botërore të Tokës. Krahas këtij vjen parimi që pasuritë natyrore nuk janë të askujt veçmas, por janë të të gjithëve bashkë dhe mbi të gjitha që zhvillimi nuk mund të vijë duke shkatërruar bazën mbi të cilën ndërtohet jeta. Garda për mbrojtjen e natyrës është shprehje e një ndryshimi të thellë në mënyrën se si e kuptojmë shtetin. Një shtet që nuk është spektator por veprues. Një shtet që nuk reagon vonë por parandalon me kohë. Pra politika, veprime e masa paraprake duke mos pritur për reaksion ndaj dëmit i cili tashmë veçse është shkaktuar. Një shtet i cili nuk e toleron degradimin por e ndalon dhe parandalon atë.

Për shumë vite natyra në vendin tonë është trajtuar si një hapësirë pa zot. Atje ku ka munguar shteti, ka hyrë abuzimi. Atje ku ka munguar ligji, ka dominuar interesi i ngushtë. Ne po e ndryshojmë rrënjësisht këtë logjikë”, tha ai.

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, tha se mbi 100 gardianë do të angazhohen fillimisht dhe do të raportojnë dëmtimet e natyrës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

“Po themelojmë gardën për mbrojtjen e natyrës. Një hap që shndërron vizionin tonë shtetëror në një roje të gjallë të pasurive tona kombëtare, sepse për ne, mbrojtja e natyrës është prioritet shtetëror i panegociueshëm. Nën udhëheqjen e qeverisë së kryeministrit Kurti, ne po ndërtojmë një qasje të re ndaj mjedisit. Një qasje që nuk e sheh natyrën si burim për t’u shfrytëzuar nga disa, por si pasuri e përbashkët që duhet menaxhuar me kujdes, përgjegjësi dhe vizion afatgjatë. Garda për mbrojtjen e natyrës është një instrument konkret i kësaj politike. Ajo përfaqëson një model të ri të bashkëpunimit ndërmjet shtetit dhe shoqërisë. Garda do të na ndihmojë në monitorim, parandalim të krimeve mjedisore dhe për edukim qytetar. Para se të vija këtu, kam nënshkruar vendimin për themelimin e kësaj garde. Dhe menjëherë pas fjalimeve tona, bashkë me ministrin, zotin Xhelal Sveçla, këtu në prezencën tuaj, do të nënshkruajmë memorandumin e bashkëpunimit, pra marrëveshje e cila nuk do të jetë thjesht një akt burokratik, por një akt fuqie. Një aleancë e fortë e institucioneve me qytetarët”, tha ajo.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se ky mekanizëm do të rrisë kapacitetin institucional për reagim ndaj shkeljeve mjedisore.

“Garda për mbrojtjen e natyrës që konkretizohet sot përmes vendimit të ministres dhe pastaj edhe marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është një nga mekanizmat që rrit kapacitetin për parandalim dhe reagim ndaj çdo shkelje që dëmton mjedisin. Si Ministri e Punëve të Brendshme do të jemi në mbështetje të plotë të të gjithë akterëve, të të gjithë juve, me qëllimin e qartë që asnjë shkelje të mos mbetet pa u trajtuar dhe asnjë abuzim në raport me mjedisin dhe atë që na rrethon të mos mbetet pa përgjegjësi”, tha ai.

Të ngjashme