QIKA dënon gjuhën e përdorur nga deputeti Fatos Geci ndaj deputetes Vlora Çitaku

Prishtinë | 22 Pri 2026 | 16:54 | Nga Ekonomia Online

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA) përmes një reagimi publik ka denoncuar gjuhën e përdorur nga deputeti Fatos Geci ndaj deputetes Vlora Çitaku.

“Gjuha e përdorur nga deputeti Fatos Geci ndaj deputetes Vlora Çitaku është seksizëm i pastër dhe dhunë ndaj grave në politikë. Kjo gjuhë është reflektim i një kulture të rrënjosur patriarkale që vazhdon të dominojë diskursin politik në Kosovë. Sulmet ndaj grave në politikë shpesh nuk kanë të bëjnë me punën, qëndrimet apo argumentet e tyre, por me jetën private, statusin martesor apo stereotipe të tjera gjinore, duke tentuar t’i delegjitimojnë ato në hapësirën publike.

QIKA kërkon distancim të qartë dhe publik nga kjo gjuhë nga subjekti politik përkatës, reflektim dhe përgjegjësi nga vetë deputeti, si dhe reagim institucional nga Kuvendi i Kosovës për të adresuar gjuhën e papërshtatshme në debatet parlamentare. Ne mbesim të përkushtuara për të denoncuar çdo formë të gjuhës seksiste dhe për të kërkuar një diskurs publik të drejtë, të barabartë dhe dinjitoz për të gjithë.”, thuhej në njoftim.

Të ngjashme