Kurti kritikon opozitën: Me sjellje joshtetërore dhe anti-institucionale pamundësuan zgjedhjen e presidentit

Prishtinë | 29 Pri 2026 | 00:27 | Nga Ekonomia Online

Pasi përfundoi afati i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e një presidenti, dhe pas shpërndarjes së Kuvendit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kandidaten për presidente, Feride Rushiti, kanë mbajtur konferencë për media, raporton Ekonomia Online.

Kurti adresoi kritika ndaj opozitës, duke thënë se opozita me sjellje joshtetërore dhe anti-institucionale pamundësuan zgjedhjen e presidentit.

“Jemi këtu bashkë në Kuvendin e Republikës me kandidaten për Presidente të Republikës, doktoreshën Feride Rushiti, e cila mbrëmë, gjatë përpjekjes për të zhvilluar raundin e parë të zgjedhjes së Presidentes së re, mori 63 vota, që dëshmon se Kosova, si shtet i pavarur dhe Republikë demokratike, mund të ketë Presidenten e re. Mirëpo, ajo çfarë mungoi është opozita aty, e cila, me sjelljen e saj joshtetërore dhe anti-institucionale, me bojkot dhe bllokim, pamundësoi zhvillimin e raundit të parë për të vazhduar në raundin e dytë dhe të tretë. Doktoresha Feride Rushiti i ka votat për Presidente; ajo çfarë nuk ka Kosova është kuorumi në Kuvend. Unë e falënderoj përzemërsisht, së pari që ka pranuar të jetë kandidate dhe, si lidere e shoqërisë civile, si një personalitet i dëshmuar në punën në fushën e të drejtave të njeriut për pothuajse tri dekada, është nder për Republikën tonë që e kishim kandidate. Njëkohësisht, e përgëzoj për punën dhe kontributin që ka bërë”, tha Kurti.

Të ngjashme