Kandidatja për presidente, Feride Rushiti, ka deklaruar se, pas përfundimit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, nuk do të vazhdojë më, me kandidime brenda strukturave të Lëvizjes Vetëvendosje, raporton Ekonomia Online.
Ajo gjithashtu, në konferencë për media, tha se nuk ka ndjerë presion apo se ka qenë pjesë e kalkulimeve politike.
“Në asnjë moment nuk e kam ndjerë që jam pjesë e kalkulimeve; po ta kisha ndjerë, s’do të isha sot para jush këtu. Thjesht, unë kam zgjedhur momentin e fundit, pasi e kam parë që janë konsumuar të gjitha mundësitë e mundshme dhe propozimet që janë bërë nga qeverisja Kurti. Prandaj, kur jam ulur për të bashkëbiseduar, edhe pas shumë kërkesave që kam pasur nga qytetarët, nga partnerët ndërkombëtarë dhe nga kauza e të mbijetuarve që unë i përfaqësoj, e kam parë veten si një person unifikues, për faktin se kam bashkëpunuar me të gjithë qeveritarët e mëhershëm, siç i përmenda, edhe me presidentë, edhe me kryeministra. E kam menduar që unë do të jem një figurë unifikuese dhe se vota e tyre nuk do të mungojë në parlament.”
Rushiti tha se do të vazhdojë punën në organizatën që përfaqëson.
“Unë përfaqësoj një organizatë, siç e dini të gjithë, dhe ju si media na keni ndjekur në rrugëtimin tonë 23-vjeçar, që quhet Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT). Adresa ime do të vazhdojë të jetë aty. Unë e bëra këtë lëvizje vetëm për t’i kontribuar vendit që të dalë nga ky ngërç politik. Si qytetare e Kosovës, që punoj me shtresat më të dëmtuara të shoqërisë sonë, e mendova që kjo është një zgjedhje e mundshme dhe besova që zgjedhja ime do të përkrahej nga të gjithë deputetët. Pra, rrugëtimi im do të vazhdojë në organizatën që unë përfaqësoj”, u shpreh ajo.
