Kryetari i komunës së Mitrovicës, Faton Peci ka kujtuar 29 prillin e vitit 1999, duke rikthyer në vëmendje masakrën në fshatin Zhazhë dhe historinë e mbijetesës së Besim Kadriut, të cilin e quajti “fytyra e së vërtetës dhe pasqyra e krimit”.
Përmes një postimi, Peci tha se atë ditë “fshatin Zhazhë e terrorizoi krisma e armëve nga barbaria vrastare e forcave gjenocidale të Millosheviqit, e ushtruar mbi civilët e pambrojtur e të pafajshëm shqiptarë”.
Ai kujtoi se nga sulmi mbetën të vrarë 11 persona, ndërsa dy të tjerë u plagosën rëndë.
“11 të vrarë, 9 prej tyre kushërinj dhe 2 mysafirë, si dhe 2 të plagosur: Shermet Peci dhe Besim Kadriu”, shkroi Peci.
Duke rrëfyer përjetimin e tij të asaj kohe, ai tha se Besim Kadriun e kishte gjetur në mal, në gjendje të rëndë, pasi forcat serbe e kishin lënë për të vdekur.
“Unë, vetëm 16 vjeç aso kohe, e gjeta në mal. Besimi Kadriu nuk ishte thjesht një njeri i plagosur rëndë, por ishte pa hundë dhe pa syrin e djathtë. Mes dheut, gjakut dhe frikës, ai ende po merrte frymë”, deklaroi Peci.
Sipas tij, mbijetesa e Kadriut ishte rezultat i përkushtimit të familjarëve të tij, të cilët u kujdesën për të deri në hyrjen e forcave të KFOR-it.
“Mbijetesa e Besimit nisi aty, në mes të duarve të njerëzve që nuk u dorëzuan. Vëllai im Jetoni, në atë kohë nxënës i vitit të katërt të mjekësisë, u kujdes duke i ofruar çdo ditë ndihmë dhe e mbajti në jetë, bashkë me motrën time Ganimetën dhe kushëririn Nehatin, deri në hyrjen e forcave të KFOR-it”, shtoi ai.
Peci theksoi se Kadriu arriti të mbijetojë pas 24 orësh dhe më pas u bë dëshmitar i krimeve të luftës në Kosovë.
“Ai i shpëtoi vdekjes pas 24 orëve dhe u ringrit për të dëshmuar në sytë e botës krimet e tmerrshme të Serbisë”, shkroi ai, duke shtuar se historia e tij është trajtuar edhe nga mediat ndërkombëtare.