Niniç për vendimin e Banjskës: Këmbësoria paguan esnafin, ndërsa arkitektët e kaosit ulen në rreshtat e parë në pritjet shtetërore në Beograd

Prishtinë | 29 Pri 2026 | 11:48 | Nga Ekonomia Online

“Kjo nuk është vetëm një humbje juridike, kjo është një falimentim i rëndë civilizues dhe moral i politikës tradhtare të Vuçiqit, e cila veriun e Kosovës e ka shndërruar në poligon për lojërat e saj të rrezikshme dhe të pista për pasurim, ndërsa popullin në pengje”, ka deklaruar avokati Ivan Niniç, duke komentuar aktgjykimin e shkallës së parë ndaj tre serbëve për pjesëmarrje në ngjarjet në Banjskë.

Tre prej 45 serbëve ndaj të cilëve Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për pjesëmarrje në ngjarjet në Banjskë, të premten morën aktgjykimin e shkallës së parë.

Blagoje Spasojević dhe Vladimir Tolić u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Dušan Maksimoviç me një dënim më të lehtë – 30 vjet burg.

Në Prishtinë, kjo vendim gjykate është përshëndetur gjerësisht me mesazhin se drejtësia kosovare ka folur në emër të “rendit kushtetues të Kosovës”, se vendimi dëshmon që “asnjë sulm ndaj shtetit të Kosovës nuk do të mbetet pa u ndëshkuar”, por edhe se “drejtësia për Banjskën do të jetë e plotë kur para saj të dalin të gjithë pjesëmarrësit – në krye me Milan Radoiqiç”, shkruan KoSSev.

Nga ana tjetër, pala serbe, përfshirë edhe avokatët e të dënuarve, e kanë dënuar vendimin, duke thënë se bëhet fjalë për një aktgjykim të marrë nën presion të fortë politik, pa prova të qarta dhe pa përcaktim të përgjegjësisë individuale të të dënuarve.

Nga Beogradi, katër ditë pas vendimit të Gjykatës Themelore, kanë reaguar vetëm Zyra për Kosovën dhe Metohinë, si dhe kryetari i SNS-së, Miloš Vučeviç.

Ninić: Beogradi nuk e lëvizi as gishtin, dëshmi se i sakrifikoi me vetëdije këta njerëz

Pikërisht mungesën e reagimit nga Beogradi e ka theksuar sot edhe Ivan Ninić, ndërkohë që, siç tha ai, arkitektët e kaosit ulen në rreshtat e parë në pritjet shtetërore pikërisht atje.

“Ky aktgjykim në Prishtinë është vetëm akti përmbyllës i një farse tragjike në të cilën çmimin e paguan këmbësoria, ndërsa arkitektët e kaosit ulen në rreshtat e parë në pritjet shtetërore në Beograd”, deklaroi Ninić për KoSSev.

Teksa tre serbë marrin praktikisht dënime të përjetshme me burg, shton ai, Radoiçiq lëviz lirshëm në Dedinje, fiton tenderë dhe mbrohet nga sistemi. Pikërisht kjo, sipas avokatit, është dëshmi se Beogradi i ka sakrifikuar me vetëdije këta njerëz.

“Derisa tre serbë marrin praktikisht dënime të përjetshme me burg, në Serbi kemi situatën që ‘komandanti’ i atij operacioni, Milan Radoiçiq, shëtit lirshëm në Dedinje, merr tenderë milionësh dhe gëzon mbrojtjen e sistemit që edhe e dërgoi në atë aventurë. Kjo është dëshmia më e drejtpërdrejtë se regjimi në Beograd i sakrifikoi me vetëdije këta njerëz dhe më pas i hodhi poshtë në momentin kur u bënë barrë politike”.

Absurdin kryesor të pushtetit të Vuçiqit, sipas Ninićit, e përbën fakti që “nuk e lëvizi as gishtin për këta njerëz”.

“Duhet të theksoj absurdin kyç – pushteti i Vuçiqit që betohet në sovranitetin kushtetues mbi Kosovën nuk e lëvizi as gishtin për t’i mbrojtur këta njerëz, e as nuk nisi ndonjë procedurë serioze në Beograd. Përkundrazi, BIA jonë dhe drejtësia shtiren sikur janë të vdekura, ndërsa e vërteta reale se kush e urdhëroi, armatosi dhe mbështeti logjistikisht aksionin në Banjskë fshihet si sekret shtetëror i nivelit më të lartë”.

“Këta djem janë sakrifikuar me plan dhe janë bërë monedhë pazari në tregtinë me sovranitetin”.

E gjithë kjo, thotë ai, është mesazhi që Beogradi po ua dërgon serbëve dhe sipas Ninićit ai është i frikshëm:

“Mesazhi që Beogradi po ua dërgon serbëve në veri është i tmerrshëm: Do të vdisni për ne, do të kalbeni në burgje për ne, ndërsa ne ndërkohë me përndjekësit tuaj do të negociojmë kuota të reja për energjinë elektrike dhe targat, dhe do t’i ndihmojmë ata ta finalizojnë ndërtimin e shtetit të tyre”.

Sipas tij, nuk bëhet fjalë vetëm për një humbje juridike, por për falimentim moral të politikës tradhtare të Vuçiqit, e cila:

“Veriun e Kosovës e ka shndërruar në poligon për lojërat e saj të rrezikshme dhe të pista për pasurim, ndërsa popullin në pengje”.

Të ngjashme