KQZ në pritje të vendimit për datën e zgjedhjeve, Elezi: Organizimi bëhet me afata të shkurtëra

Prishtinë | 29 Pri 2026 | 13:13 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të vendimit për caktimin zyrtar të datës për mbajtjen e zgjedhjeve të radhës.

Kështu ka deklaruar për Ekonomia Online, zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi.

Elezi deklaroi se meqenëse këto janë zgjedhje të parakohshme, organizimi i tyre bëhet me afate të shkurtëra kohore dhe një nga vendimet e para të KQZ-së për këtë proces zgjedhor do të jetë ndryshimi i afateve kohore të aktiviteteve zgjedhore apo përshtatja e tyre sipas nevojës dhe në pajtim me rrathanat.

“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme ia jep të drejtën KQZ-së që afatet kohore të aktiviteteve zgjedhore të përshtaten me ditët në dispozicion të KQZ-së për organizimin e këtyre zgjedhjeve”, deklaroi ai.

Ai theksoi se me planin e aktiviteteve, KQZ rregullon çështjet mbi të cilat ndërtohet i gjithë procesi zgjedhor dhe që kanë të bëjnë me votuesit, subjektet politike dhe vëzhguesit.

“Pra, këtu përcaktohen afati për partitë politike për të formuar koalicione dhe deklaruar mospjesëmarrjen në zgjedhje; afatin për subjektet politike për t’u certifikuar e për të dorëzuar listën e kanidatëve për deputetë; dhe periudhën e fushatës zgjedhore”, shtoi zëdhënësi i KQZ-së.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, shtoi se po ashtu, me anë të këtij plani, KQZ cakton edhe kohën për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, votimin përmes postës dhe në përfaqësi diplomatike, si dhe regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta.

“Pjesë e këtij plani është edhe vendosja e afateve për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave”.

Të ngjashme