Platforma “Liria ka Emër” ka nisur një fushatë të re sensibilizuese në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë. Në sheshin e Prishtinës është vendosur një baner me fotografitë e tyre, ndërsa organizatorët paralajmërojnë se aktivitetet do të vazhdojnë edhe në javët në vijim.
Përfaqësuesi i platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli tha për Ekonomia Online se kjo është vetëm nisja e një serie aktivitetesh që do të zgjasin rreth një muaj e gjysmë.
“Po, nëse ju kujtohet në fjalimin e fundit, në marshin e fundit që u mbajt, atje thuhet që me kaq nuk do të ndalemi. Dhe kjo është nisja e një aktiviteti ose fushatë krejt tjetër dhe krejt ndryshe që ka ndodh sot me këtë çka po shihni mbrapa, dhe do të jenë aktivitete që do të zgjasin një muaj, një muaj e gjysmë dhe janë të planifikuara dhe janë brenda kalendarit organizativ të ‘Liria ka Emër’”, tha ai.
Duke folur për aktivitetet e planifikuara, Tasholli tha se ato do të jenë kryesisht simbolike dhe do të përfshijnë edhe artistë të ndryshëm.
“Po, do të ketë aktivitete më shumë simbolike, jo më me idenë dhe qëllimin e një marshi tjetër, por do të jenë aktivitete, nëse mund të themi, të kombinuara me artistë të ndryshëm, me mesazhe të ndryshme, por gjithsesi me kohë do t’ju lajmërojmë për secilin aktivitet veç e veç sepse kalendari tash është i mbushur”, theksoi Tasholli.
Ai foli edhe për pritjet që kanë nga Gjykata Speciale, duke theksuar se presin një vendim juridik dhe jo politik.
“Po, ne presim një vendim juridik dhe kurrsesi politik. Dhe kur mbesim brenda juridikes, e kemi shpresën të bazuar se ata do të kthehen shpejt. “Bring them home” është edhe një mesazh i asaj se çka, ku i përkasin ata, sepse ata i përkasin këtij vendi, kësaj shoqërie, dhe janë pjesë shumë e rëndësishme e historisë tonë. Janë ata çka sot po i cilësojmë edhe çlirimtarë”, thotë ai.
Sipas Tashollit, qëllimi i aktiviteteve është mbajtja gjallë e mbështetjes publike dhe pritjes për kthimin e tyre.
“Qëllimi është që të çojmë mesazhe që qytetaria e Kosovës është në pritje të një verdikti apolitik, juridik, dhe sepse ata po kthehen në shtëpinë e tyre. Dhe ne po ushtrojmë një lloj presioni, nëse mund të themi kështu, publik pozitiv, që të mbajmë emocionin dhe të organizojmë pritjen e tyre që do të ndodhë nesër, të them kështu figurativisht, sepse tashmë është edhe verdikti i përafruar”, potencon ai.
Ai shtoi se presin përkrahje edhe nga institucionet e Kosovës, duke u bazuar në mbështetjen që kanë marrë në aktivitetet e mëhershme.
“Po gjithsesi, besojmë edhe shpresojmë, por kemi edhe praktikat e dy marsheve të tjerë ku shumica i kanë lënë dioptritë politike, përditshmërisë politike, dhe janë fokusuar te esenca, e ata janë Kosova në gjyq dhe presim që do të lirohen”, theksoi tutje ai.
Tasholli foli edhe për reagimet e qytetarëve pas vendosjes së bilbordit në Prishtinë, duke thënë se te qytetarët ekziston një ndjenjë e përzier mes shpresës dhe frikës.
“Po, qytetarët kanë pritje të dyzuara, nëse mund të themi. Është frika gjithmonë që rri pranë sepse verdikti politik mund të jetë ai që inkriminohet brenda verdiktit, dhe është pjesa tjetër shumë shpresëdhënëse, do të thotë premisa juridike, sepse juridikisht ata më nuk kanë pse mbanë atje. Do të thotë është një lloj shprese, por shpresë e dyzuar”, shtoi Tasholli.

