Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka përkujtuar 116 civilëve shqiptar të vrarë në Studime, raporton Ekonomia Online.
Haradinaj tha se nuk duhet harruar krimet dhe lufta e fundit e viteve 1998-1999.
“Ne vijmë çdo vit, dhe vijmë sepse ndiejmë përgjegjësi, ndiejmë borxh. E ndiejmë t’i qëndrojmë afër porosisë së kësaj dite. Në këtë ditë, shumë vite më herët, pra në kohën kur liria ishte afër, u vranë 116 shqiptarë të pambrojtur, civilë: gra, fëmijë, burra, pleq. Dhe gjithsesi do të vazhdojmë me ardhë, e do të vazhdojmë me ardhë gjithnjë, sepse është detyrë e të gjallëve me e ruajt kujtesën, edhe me e ruajt të vërtetën, edhe mos me lejue asnjëherë me u zbehë kjo.
Ne të gjallët kemi edhe detyra të tjera, përpos me e ruajt kujtesën, mos me e lënë me u harru – populli thotë ‘mos rraftë me u harru’ që i bie: mos me leju që kurrë Kosovës me i ndodhë në të ardhmen krime e masakra e të këqija që i ka bërë Serbia, regjimi i Millosheviqit, forcat ushtarake e paramilitare popullit të Kosovës”, tha Haradinaj.
Ai tha se shteti duhet t’i forcojë institucionet e sigurisë, si ushtrinë dhe policinë për të siguara qytetarët.
“Si e sigurojmë veten? Së pari, po, duke e forcuar ushtrinë tonë. Duhet me e forcu vazhdimisht ushtrinë, kurrë pa u ndalë. Duhet me e forcu policinë tonë, vazhdimisht, kurrë pa u ndalë. Të gjitha institucionet e sigurisë. Edhe zjarrfikësit, edhe zjarrfikësit janë të rëndësishëm, janë institucion i sigurisë. Doganat, inteligjencat… por edhe duke e ruajtur miqësinë, duke i ruajtur aleatët e sigurisë, miqësinë me Amerikën. E kemi interes jetik me u kujdesë gjithmonë e çdo herë, e kurrë mos me lejue me u zbehë miqësia me Amerikën. Sepse, duke qenë së pari ne të fortë, të aftë me u mbrojt – e jemi, kurrë më të fortë s’kemi qenë sepse, sikurse e dini, janë ndërtuar institucionet tona të sigurisë edhe janë në avancim e sipër – por edhe duke e ruajtur aleancën me Amerikën, atëherë Serbisë e aleatëve të Serbisë ua bëjmë të pamundur edhe me na rreziku ndonjëherë.
Kjo që ndodhi në Kongresin Amerikan, një rezolutë e tre kongresmenëve, është po ashtu rezultat i punës së mirë që bëjnë vëllezërit tanë në Amerikë, shqiptarët e Amerikës. Pos neve të gjithë institucioneve, nuk po i ndaj në emra sot, por ata vazhdojnë prej Nolit e Konicës, vazhdojnë me na i ruajt lidhjet me administratën, me të zgjedhurit, me Amerikën.
E di se familjarët çdo ditë e kanë dhimtë, familjarët e martirëve. Edhe e di se jetoni me dhimbje, por po ashtu po ju lus ta ndjeni edhe krenarinë, sepse falë kësaj sakrifice, falë këtij gjaku, falë familjarëve tuaj, sot jetojmë të lirë në Kosovë. Fëmija tanë shkojnë të lirë në shkolla, edhe në këtë vend, pra, frymojmë shqip”, tha Haradinaj.
