Shpërthim në një fabrikë fishekzjarrësh në Kinë, 21 të vdekur

Prishtinë | 05 Maj 2026 | 08:16 | Nga Ekonomia Online

Një shpërthim në një fabrikë fishekzjarrësh në provincën Hunan të Kinës ka vrarë 21 persona dhe ka lënë 61 të plagosur, sipas mediave shtetërore.

Shpërthimi në uzinën e fishekzjarrëve Huasheng ndodhi rreth orës 16:40 sipas orës lokale të hënën, në qytetin Liuyang, duke bërë që ekipet e shpëtimit të evakuojnë të gjithë ata që ndodhen brenda një rrezeje prej 3 km nga impianti, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Autoritetet vendosën gati 500 persona për të kryer operacione kërkim-shpëtimi dhe për të trajtuar të plagosurit, ndërsa robotët u përdorën për të ndihmuar në gjetjen e atyre që ishin bllokuar brenda ndërtesës.

Policia, e cila po heton shkakun e shpërthimit, ka marrë “masa kontrolli” kundër personit përgjegjës për kompaninë e fishekzjarrëve, raportoi media shtetërore kineze.

Autoritetet thanë se dy depo baruti brenda zonës së fabrikës përbënin një rrezik të lartë mes përpjekjeve të shpëtimit.

Të ngjashme