BE u “frikësohet” kërkesave të KE’së që vendeve t’u jepen afate anëtarësimi

Prishtinë | 17 Tet 2026 | 12:39 | Nga Ekonomia Online

Pavarësisht se ishte paraqitur si një pikë e mundshme kthese për zgjerimin e Bashkimit Evropian, samiti i Këshillit Evropian nuk arriti të ofrojë udhëzime të qarta politike për hapat e mëtejshëm. Në vend të kësaj, liderët riafirmuan edhe një herë mbështetjen e tyre të përgjithshme për pranimin e anëtarëve të rinj, ndërsa elementi më i rëndësishëm i draft-konkluzave – një afat që Mali i Zi t’i përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në fund të këtij viti – u hoq në momentin e fundit, me kërkesë të Kroacisë.

Portalet që merren me politikat europiane si “European Western Balkans” dhe “Brussels Signal”,  iubënë analiza konkluzave që dje nxori Komisioni Europian për zgjerimin dhe reformat.

Këto mediume shkruan se BE’ja dërshtoi të vendosë një kurs të qartë për zgjerimin dhe përmenden që liderët europianë kërkuan reformimin e bllokut fillimisht përpara se të pranojnë anëtarë të rinj.

Liderët e Bashkimit Europian kanë deklaruar se blloku duhet të rishikojë mënyrën se si funksionon përpara se të pranojë vende të reja, pa u zotuar për ndonjë ndryshim të caktuar institucional apo për ndonjë afat kohor.

Ky qëndrim u paraqit në përfundimet e miratuara në Këshillin Europian në Bruksel më 15 tetor, ku krerët e shteteve dhe qeverive zhvilluan atë që ishte cilësuar si një diskutim strategjik mbi zgjerimin dhe reformat.

Sipas tekstit të konkluzave, si Bashkimi Europian, ashtu edhe vendet që synojnë anëtarësimin duhet të jenë “të gatshme në momentin e anëtarësimit”. Zgjerimi u paraqit si një investim gjeostrategjik në paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet, si dhe si një mënyrë për të ngushtuar dallimet ekonomike ndërmjet vendeve.

Liderët thanë se BE-ja duhet të vazhdojë reformat e veta, të përcaktojë ambiciet afatgjata dhe të zgjidhë çështjet që lidhen me prioritetet dhe kapacitetin e saj për të vepruar. Sipas tyre, këto hapa do të forconin sovranitetin europian.

Ata morën në shqyrtim komunikatën e Komisionit Europian për përgatitjen e një Unioni më të gjerë, të paraqitur më 6 tetor. Në këtë dokument propozohej integrimi gradual i vendeve kandidate përpara anëtarësimit të plotë, përfshirja e mekanizmave mbrojtës në traktatet e anëtarësimit dhe përdorimi më i gjerë i votimit me shumicë të cilësuar, me qëllim kufizimin e vetove kombëtare.

Asnjëra prej këtyre ideve nuk u miratua. Ministrave iu kërkua vetëm ta analizojnë dokumentin dhe të vazhdojnë punën, pa u përcaktuar ndonjë afat kohor.

U riafirmua parimi i bazuar në merita, sipas të cilit çdo vend kandidat përparon në varësi të rezultateve dhe progresit të vet. Çdo hap vazhdon të kërkojë unanimitet, çka i mundëson secilit shtet anëtar ta pengojë procesin e një vendi kandidat në çdo fazë, për arsye të veta.

Kjo qasje e kujdesshme u shtri edhe te vendet që janë më pranë anëtarësimit. Sa i përket Malit të Zi, liderët mirëpritën vazhdimin e punës për hartimin e traktatit të anëtarësimit, por hoqën një referencë që përfshihej në një version të mëparshëm të draftit, sipas së cilës kapitujt e mbetur të negociatave duhej të mbylleshin deri në fund të këtij viti.

U hoq gjithashtu edhe një formulim që kërkonte përfundimin e tekstit të Traktatit sa më shpejt të ishte e mundur. Podgorica ka hapur të 33 kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht 21 prej tyre, ndërsa qeveria e saj vazhdon të synojë anëtarësimin në vitin 2028.

Përparimi në vendet e tjera është më i ngadaltë. Shqipëria mbylli kapitullin e katërt më 13 tetor dhe i kanë mbetur edhe 29 kapituj për t’i përfunduar, ndërsa Ukraina dhe Moldavia hapën grupkapituj të rinj gjatë së njëjtës javë.

Paketa vjetore e Komisionit Evropian për zgjerimin, e cila pritet të përcaktojë udhërrëfyesit e anëtarësimit për katër vendet që kryesojnë procesin, është shtyrë për më 4 nëntor./Express/

Të ngjashme