Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, po telefonon çdo ditë presidentin amerikan Donald Trump, në përpjekje për ta bindur atë të rifillojë veprimet ushtarake kundër Iranit, pavarësisht përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit. Lajmi raportohet nga gazeta britanike Financial Times të hënën.
Netanyahu telefonon çdo ditë Trump-in për ta bindur të rifillojë luftën kundër Iranit

“Netanyahu e telefonon çdo ditë për ta nxitur të rifillojë luftën”, i tha gazetës një person i informuar për diskutimet mes tyre.
Ai tha se zyrtarë brenda dhe jashtë Shtëpisë së Bardhë, të cilët kundërshtojnë rifillimin e luftimeve, po përpiqen të kundërpeshojnë presionin e Netanyahu-t për rikthimin e luftës.
“Udhëheqësit rajonalë po i kërkojnë atij (Trump-it) të mos e përshkallëzojë situatën dhe t’u japë përparësi negociatave”, tha burimi.
Një tjetër person i njohur me situatën në Izrael deklaroi se Netanyahu dëshiron rifillimin e veprimeve ushtarake kundër Iranit, por aktualisht nuk ka një përpjekje të koordinuar për të bindur Trump-in.
Sipas Financial Times, udhëheqësit arabë dhe myslimanë janë alarmuar nga lobimi i vazhdueshëm i Netanyahut për rifillimin e luftës kundër Iranit.
Të hënën, Trump deklaroi se aleatët e SHBA-së në Gjirin Persik janë kundër një fushate të re ushtarake kundër Teheranit.
Netanyahu, i cili vijon të jetë kryeministër në detyrë pas zgjedhjeve të muajit të kaluar në Izrael, të cilat nuk prodhuan një rezultat përfundimtar, ka bërë thirrje për rifillimin e sulmeve të përbashkëta amerikano-izraelite, me synimin për të rrëzuar qeverinë iraniane.
Trump, megjithatë, deklaroi se ka “zhvillime pozitive” drejt përfundimit të luftës gati nëntëmujore dhe se rifillimi i sulmeve amerikane ndaj Iranit tashmë duket “shumë pak i mundshëm”.











