Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Amer Kapetanoviq, bëri thirrje për koordinim më të fortë ndërmjet institucioneve të sigurisë dhe për përmirësime konkrete në përgjigjet rajonale ndaj kërcënimeve të përbashkëta, gjatë hapjes së Konferencës së 11-të Vjetore për Koordinimin Rajonal të Sigurisë (JUMBO 2026), që u mbajt sot në Tiranë.
Kapetanoviq: Bashkëpunimi rajonal në fushën e sigurisë duhet të sjellë rezultate konkrete

Konferenca dyditore, e organizuar nën temën “Siguria Rajonale: Rreziqe të Reja, Bashkëpunim më i Fortë”, mbledh më shumë se 150 zyrtarë të lartë, profesionistë dhe ekspertë të sigurisë, përfaqësues të institucioneve dhe agjencive të Bashkimit Evropian, organizatave rajonale dhe ndërkombëtare, botës akademike dhe shoqërisë civile. JUMBO 2026 organizohet nga RCC, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Ministrisë së Brendshme të Italisë dhe Bashkimit Evropian, në partneritet me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Shqipërisë. “Deri në konferencën e ardhshme JUMBO, duhet të jemi në gjendje të tregojmë përmirësime konkrete: një procedurë që funksionon më mirë, një kontakt që mundëson një përgjigje në kohë, apo një mangësi në gatishmëri që është adresuar. Qytetarët tanë duhet të mund të përfitojnë nga bashkëpunimi për të cilin diskutojmë këtu”, tha Kapetanović. Përveç Sekretarit të Përgjithshëm të RCC-së, në hapjen e konferencës folën edhe Ervin Demo, Ministër i Punëve të Brendshme i Shqipërisë; kolonel Selvaggio Sarri, Drejtues i Divizionit të Çështjeve Dypalëshe në Ministrinë e Brendshme të Italisë; Pierluigi Simonetti, Zëvendësambasador i Italisë në Shqipëri; dhe Andre Rizzo, Shef i Seksionit Politik në Delegacionin e BE-së në Shqipëri. Pas sesionit hapës, Igor Malchiodi nga Ministria e Brendshme e Italisë mbajti fjalimin kryesor me temën “Partneriteti i Sigurisë BE–Ballkani Perëndimor: Prioritetet për Vitet në Vijim”, në emër të Prefektit Stefano Gambacurta, Drejtor i Njësisë për Parandalimin e Mafias. Duke iu drejtuar pjesëmarrësve, Kapetanoviq theksoi se rrjetet kriminale po veprojnë gjithnjë e më shumë në disa juridiksione, duke e bërë thelbësore shkëmbimin në kohë të informacionit, hetimet e koordinuara dhe bashkëpunimin më të fortë institucional. Ai theksoi gjithashtu se bashkëpunimi i vazhdueshëm profesional mund të forcojë besimin dhe stabilitetin në të gjithë rajonin, edhe kur marrëdhëniet politike janë të vështira. Kapetanoviq vuri në dukje gjithashtu Qendrën për Qeverisjen e Sigurisë (Security Governance Hub) të RCC-së dhe kontributin e saj në zbatimin e Planit të Përbashkët të Veprimit BE–Ballkani Perëndimor për Luftën kundër Terrorizmit dhe Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm 2026–2030. JUMBO 2026 trajton sfida të ndërlidhura të sigurisë, duke përfshirë krimin e organizuar, kontrabandimin e migrantëve, korrupsionin, trafikimin e paligjshëm të armëve, përdorimin e dronëve dhe teknologjive të reja nga rrjetet kriminale, kërcënimet kibernetike dhe hibride, si dhe rreziqet e sigurisë që lidhen me ndryshimet klimatike. Diskutimet do të mbështeten gjithashtu në gjetjet paraprake të anketës SecuriMeter 2026 të RCC-së, për të ndihmuar institucionet që t'u përgjigjen shqetësimeve të qytetarëve për sigurinë. SecuriMeter 2026 do të prezantohet zyrtarisht javën e ardhshme në Konferencën e Sigurisë në Beograd. Dita e dytë e JUMBO 2026 do të përfshijë katër grupe tematike të punës, të përqendruara në migracionin dhe koordinimin rajonal, krimin e organizuar në mjedisin digjital, kërcënimet kibernetike dhe hibride, si dhe rreziqet e sigurisë që lidhen me ndryshimet klimatike. Pjesëmarrësit do të identifikojnë rekomandime praktike dhe hapa për përmirësimin e bashkëpunimit dhe gatishmërisë. Në hapje të konferencës, Kapetanoviq nderoi kujtimin e katër pjesëtarëve të personelit italian që shërbenin në kuadër të EUFOR Althea, të cilët humbën jetën në aksidentin me helikopter pranë Brčkos më 29 tetor, duke u shprehur ngushëllime familjeve, kolegëve të tyre dhe popullit italian. Konferenca Vjetore për Koordinimin Rajonal të Sigurisë (JUMBO) është një nga platformat kryesore të RCC-së për dialogun dhe koordinimin rajonal në fushën e sigurisë. Tashmë në vitin e saj të njëmbëdhjetë, ajo mbledh institucione të sigurisë, nisma rajonale, partnerë të BE-së dhe partnerë ndërkombëtarë për të trajtuar sfidat e përbashkëta të sigurisë, për të shkëmbyer ekspertizë dhe për të identifikuar mundësi për bashkëpunim praktik. Duke ndërlidhur mekanizmat ekzistues dhe duke nxitur përgjigje të koordinuara, JUMBO kontribuon në forcimin e sigurisë, besimit dhe qëndrueshmërisë ndaj sfidave në të gjithë Evropën Juglindore.

















