Elon Musk ka kërkuar një marrëveshje të mundshme me OpenAI vetëm dy ditë para se të fillonte gjyqi i madh ndaj kompanisë së ChatGPT, sipas një dokumenti të ri gjyqësor të dorëzuar nga vetë OpenAI.
Sipas dosjes së paraqitur të dielën, më 25 prill, Musk i ka dërguar një mesazh presidentit të OpenAI, Greg Brockman, për të “testuar interesin për një marrëveshje”, pak para fillimit të procesit gjyqësor që po zhvillohet në një gjykatë federale në Oakland, Kaliforni, transmeton Klankosova.tv.
Sipas CNN në dokument thuhet se kur Brockman ka sugjeruar që të dy palët të tërheqin paditë përkatëse, Musk është përgjigjur ashpër,
“Deri në fund të kësaj jave, ti dhe Sam do të jeni njerëzit më të urryer në Amerikë. Nëse këmbëngulni, ashtu do të jetë” thuhet të ketë thënë Musk.
Musk ka ngritur padi kundër OpenAI dhe drejtuesve të saj, duke i akuzuar se kanë shkelur një marrëveshje filantropike dhe janë pasuruar padrejtësisht gjatë kalimit nga një organizatë jo-fitimprurëse në strukturën aktuale si kompani fitimprurëse.
Sot, transmeton Klankosova.tv, OpenAI funksionon si një kompani përfitimi publik, e mbikëqyrur nga një fondacion jofitimprurës.
Ai pretendon se është mashtruar për të dhuruar fonde për krijimin e kompanisë, e cila sot është një nga më të mëdhatë në botën e inteligjencës artificiale, duke e akuzuar atë për “vjedhje të një organizate bamirësie”.
Nga ana tjetër, OpenAI pretendon se Musk vetë ka mbështetur modelin fitimprurës dhe se padia e tij synon të dëmtojë një konkurrent, pasi ai nuk arriti të mbajë kontrollin mbi kompaninë.
Musk u largua nga bordi i OpenAI në vitin 2018 dhe në vitin 2023 themeloi kompaninë e tij të inteligjencës artificiale, xAI.
Avokatët e OpenAI kanë tentuar të përdorin mesazhet e Musk si prova në gjykatë, duke argumentuar se ato tregojnë motivin e tij për të dëmtuar kompaninë dhe drejtuesit e saj.
Megjithatë, gjykatësja Yvonne Gonzalez Rogers e ka refuzuar kërkesën, duke thënë se provat duhej të ishin paraqitur gjatë dëshmisë së Musk.
Procesi gjyqësor, i cili ka nisur javën e kaluar, pritet të vazhdojë me dëshmitë e figurave të larta të industrisë teknologjike, përfshirë Sam Altman dhe Greg Brockman.
Ndërkohë, beteja ligjore mes Musk dhe OpenAI pritet të ketë ndikim të madh në të ardhmen e industrisë së inteligjencës artificiale.