Vetëdorëzohet Arblind Pireva – e pranon vrasjen e Agron Hajdarit

Prishtinë | 29 Maj 2026 | 08:50 | Nga Ekonomia Online

Arblind Pireva, i dyshuari për vrasjen e rëndë të Agron Hajdarit në Prishtinë, është vetëdorëzuar te hetuesit policorë dhe gjatë intervistimit ka pranuar kryerjen e veprës penale.

Ngjarja e rëndë kishte ndodhur mbrëmjen e 27 majit, rreth orës 20:35, në rrugën “Rifat Berisha” në Prishtinë, ku Policia kishte pranuar informacion për të shtëna me armë zjarri dhe një person të plagosur.

Njësitë policore dhe ekipi emergjent kishin dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku ishte konstatuar se viktima, Agron Hajdari, kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat. Sipas të dhënave nga hetimi, ai ishte goditur në kokë, gjoks dhe shpinë.

Pas krimit, i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe për disa orë kishte qenë në arrati, ndërsa Policia kishte vënë në lëvizje të gjitha njësitë relevante për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

Sinjali raporton se gjatë veprimeve intensive hetimore dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është siguruar prezenca e Arblind Pirevës, i cili është paraqitur vetë te hetuesit e Njësisë për Hetimin e Krimeve të Rënda, në prani të avokatit të tij.

Gjatë intervistimit, Pireva ka pohuar se e ka kryer vrasjen e Agron Hajdarit.

Pas përfundimit të procedurave hetimore fillestare, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Rasti po hetohet si “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të krimit janë në vazhdim.

Të ngjashme