Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 2 milionë eurove për subvencionimin e biletave të aviacionit për diasporën, duke e cilësuar atë si të paarsyeshëm dhe të dëmshëm për ekonominë vendore.
Shahini tha se ky vendim përbën shkelje të të drejtave ekonomike dhe biznesore, pasi sipas tij, po favorizohen kompani të huaja shërbyese, ndërkohë që prodhuesit vendorë janë lënë pa mbështetje edhe në periudhat më të vështira.
“Vendimi i Qeverisë për të ndarë dy milion euro për aviokompanitë, përpos se është i paarsyeshëm, është edhe shkelje e rëndë e të drejtave ekonomike dhe biznesore, ku selekton kompanitë shërbyese me ato prodhuese. Vetëm vitin e kaluar kompanitë prodhuese kanë dalë në rrugë për shkak të rritjes së rrymës dhe Qeveria nuk e ka pa të arsyeshme t’i subvencionojë prodhuesit vendorë”, deklaroi Shahini për FrontOnline.
Ai shtoi se vendimi ka prapavijë politike dhe ngriti dyshime për mënyrën se si janë ndarë këto subvencione.
“Sot merr vendim që është politik dhe një ditë me siguri Prokuroria do merret me këtë çështje, se a ka nevojë Kosova t’iu ndajë kompanive të ndryshme të aviacionit subvencione për të qëndruar në tregun e Kosovës. Kosova nuk e ka asnjë kompani të aviacionit. Sikur ta kishte dhe ta mbështeste, do ishte në rregull, por këto janë kompani të huaja dhe dihet se kush përfiton nga këto”, u shpreh ai.