Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka pritur sot në takim Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve të Republikës së Shqipërisë, Adriatik Kupi, si dhe përfaqësues të ICITAP-it për Inteligjencën Korrektuese në Ballkan.
Pjesë e delegacionit ishin Frank Karam, Këshilltar i ICITAP për Inteligjencë Korrektuese për Kosovë dhe Shqipëri, dhe Jeffery Woodworth, Këshilltar i ICITAP për Inteligjencë Korrektuese për Maqedoninë e Veriut.
Me këtë rast, Dibrani e uroi Kupin për marrjen e detyrës së re në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të Republikës së Shqipërisë, duke i dëshiruar suksese në ushtrimin e mandatit të tij dhe duke ofruar bashkëpunim e mbështetje të plotë për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve institucionale.
Gjatë takimit u diskutua për të arriturat dhe sfidat me të cilat përballet Shërbimi Korrektues i Kosovës, me theks të veçantë në rehabilitimin dhe risocializimin e personave të dënuar, ngritjen e nivelit të sigurisë dhe forcimin e burimeve njerëzore.
Në përfundim të takimit, palët ritheksuan vullnetin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe avancimin e praktikave bashkëkohore në fushën korrektuese, veçanërisht në inteligjencën korrektuese ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.