Vjosa Osmani: Serioziteti, ekonomia e fortë dhe dinjiteti familjar janë prioritetet tona

Prishtinë | 29 Maj 2026 | 21:19 | Nga Ekonomia Online

Në një tubim zgjedhor të mbajtur në Fushë Kosovë, kandidatja për presidente nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, prezantoi vizionin dhe angazhimet e LDK-së përballë qytetarëve, duke theksuar se vendi ka nevojë urgjente për seriozitet, ekonomi të qëndrueshme dhe dinjitet për familjet, raporton Ekonomia Online.

“Nuk ka asgjë më të shtrenjtë dhe nuk ka asgjë që po kërkohet sot më shumë se sa seriozitet, ekonomi të fortë dhe dinjitet për familjet e tyre. E në veçanti për familjet në Kosovë po përballen me çmime të larta, kur të rinjtë po përballen me largim të përditshëm nga vendi, kur bizneset po luftojnë me mbijetesë, krejt çka po iu ofrohet qytetarëve tanë nga ata që do të duhej të merreshin me këto probleme, është retorika e boshe, është përçarja dhe është ndarja e popullit shqiptar me veten”, tha Osmani.

Duke falënderuar themeluesit dhe veprimtarët e hershëm të LDK-së për kontributin e tyre shumëvjeçar, Osmani rikujtoi rolin historik të partisë dhe të presidentit historik Ibrahim Rugova në sjelljen e demokracisë, ndërtimin e aleancave ndërkombëtare dhe hapjen e rrugës drejt pavarësisë së Kosovës.

“Unë e kam një… unë e kam një pyetje shumë të thjeshtë për ju. Kush e solli demokracinë në Kosovë? Rugova! Rugova dhe Lidhja Demokratike e Kosovës! Kush i solli Kosovës shanset për t’u ndërtuar shtet dhe për të pasur pavarësi? LDK-ja dhe Rugova! Kush i solli Kosovës aleancat, të cilat edhe sot mbesin ekzistenciale dhe të shtrenjta për Kosovën? I solli Rugova dhe Lidhja Demokratike e Kosovës! E kush, kush do ta udhëheqë shtetin e zhvilluar, shtetin me investime dhe shtetin me perspektivë për të rinjtë tanë? Vetëm e vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk ka alternativë tjetër, e as nuk do të ketë me asnjë lloj alternative”, tha ajo.

Sipas Osmanit, LDK garanton se për katër vitet e ardhshme nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike, ulje të çmimeve të produkteve bazike, shtesa të garantuara me ligj për fëmijë dhe nëna, rritje pagash, si dhe dyfishim të pensioneve.

“LDK është alternativa e vetme për një shtet të zhvilluar, me investime dhe perspektivë për të rinjtë tanë,” përfundoi Osmani, duke ftuar qytetarët të mbështesin programin e partisë në zgjedhjet e ardhshme.

Të ngjashme