Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka bërë të ditur se në Skenderaj është hapur fushata për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.
Sipas Haxhiut, qytetarët janë mobilizuar për ta rikthyer PDK-në në qeveri, me qëllim të ndaljes së krizave të vazhdueshme dhe ndryshimit të Kosovës.
“Bashkëqytetarët tonë janë të mobilizuar për ta rikthyer PDK-në aty ku e ka vendin – në Qeveri, për t’i ndalur krizat e vazhdueshme dhe për ta ndryshuar Kosovën ashtu siç PDK di dhe e ka dëshmuar”, ka shkruar ai.
Haxhiu ka thënë se entuziazmi i qytetarëve të Drenicës është pritje për fitoren e PDK-së, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
Ai ka bërë të ditur se nga Skenderaj i kanë dërguar urime për ditëlindje kryetarit të partisë, Kadri Veseli, duke shprehur pritjen për kthimin e tij me fitore.
“Drenica i ka nisur gjithmonë ndryshimet dhe do t’i nis edhe më 7 qershor. Faleminderit përulësisht!”, ka shkruar Haxhiu.