Kandidati i PDK-së kritikon qeverinë Kurti: Kosova ende përballet me shumë probleme

Prishtinë | 03 Qer 2026 | 10:53 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për deputet nga PDK-ja, Mentor Ismaili ka thënë se Kosova është çliruar falë sakrificës së atyre që luftuan për liri e pavarësi.

Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Ismaili ka shkruar se shumë prej atyre që dikur e ndërtuan karrierën e tyre politike përmes protestave dhe kundërshtimeve të vazhdueshme, morën poste të larta shtetërore, deri në nivel ministrash e kryeministri.

Sipas Ismailit, pas gjashtë vitesh qeverisje, duke iu referuar qeverisë Kurti, Kosova vazhdon të përballet me sfida të shumta.

Postimi i tij i plotë:

Nga rrugaçë në deputetë, ministra e kryeministër

Kosova u çlirua falë sakrificës së atyre që luftuan për liri dhe pavarësi. Pas luftës, u ndërtuan institucionet e shtetit, u investua në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, u rritën pagat dhe u forcua reputacioni ndërkombëtar i Kosovës.

Nga ana tjetër, shumë prej atyre që dikur e ndërtuan karrierën e tyre politike përmes protestave dhe kundërshtimeve të vazhdueshme, morën poste të larta shtetërore, deri në nivel ministrash e kryeministri. Gjatë rrugëtimit të tyre politik pati ngjarje të rënda që lanë pasoja të dhimbshme për familje dhe shoqërinë tonë. Edhe rasti i Astrit Deharit u shndërrua në një kauzë të madhe politike, por pas ardhjes në pushtet, ende nuk është ofruar një përgjigje përfundimtare që do ta zbardhte plotësisht këtë çështje.

Pas gjashtë vitesh qeverisje, Kosova vazhdon të përballet me sfida të shumta. Një vend me potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim ekonomik, integrim ndërkombëtar dhe mirëqenie më të madhe për qytetarët, ka nevojë për një drejtim të ri dhe më efikas.

Prandaj, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që më 7 qershor të votojnë për ndryshimin, për zhvillimin dhe për një të ardhme më të mirë për vendin tonë.

STOP KRIZËS!

#PDK125 #BedriHamza1 #mentorismaili100

Të ngjashme