Albulena Haxhiu shpreh ngushëllime për tragjedinë në bregdetin shqiptar

Prishtinë | 03 Qer 2026 | 21:54 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas ngjarjes tragjike të ndodhur sot në bregdetin shqiptar, ku dy të rinj nga Kosova humbën jetën, ndërsa tre të tjerë mbetën të lënduar.

Haxhiu ka thënë se lajmi është pritur me dhimbje të thellë dhe se institucionet e Kosovës janë në koordinim të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare.

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ngjarjen tragjike të ndodhur sot në bregdetin shqiptar, ku dy të rinj, shtetas të Republikës sonë, humbën jetën, ndërsa tre të tjerë, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën, ndodhen ende në gjendje të rënduar,” ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka theksuar se institucionet kosovare janë duke ofruar mbështetjen e nevojshme në bashkëpunim me palën shqiptare.

“Institucionet tona janë në kontakt të vazhdueshëm dhe të ngushtë me autoritetet e Republikës së Shqipërisë, duke ofruar mbështetjen e nevojshme,” ka shtuar ajo.

Haxhiu ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe ka uruar shërim të shpejtë për të lënduarit.

“Familjeve të viktimave dhe të afërmve të tyre u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Të lënduarve u uroj forcë, rikuperim dhe shërim sa më të shpejtë.”

Të ngjashme