Fejza për akuzat ndaj Ramush Haradinajt për dhunë në familje: S’kisha qëllim ta ofendoja zonjën Muçaj-Haradinaj

Prishtinë | 29 Tet 2026 | 15:58 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, ka thënë se nuk ka pasur për qëllim ta ofendojë apo ta cenojë zonjën Anita Muçaj-Haradinaj, me deklaratën e saj se ka dëgjuar se ish-kreu i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka ushtruar dhunë në familje.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Fejza ka thënë se deklarata e saj ishte bazuar në informatat që kishin qarkulluar në media, duke theksuar se mesazhi kryesor i diskutimit të saj ishte se asnjë hapësirë shoqërore nuk është imune ndaj dhunës dhe se duhet të ketë reagim në secilin rast.

“Eshtë nga informatat të cilat kanë qarkulluar nëpër media. Theksi i kritikës sime gjatë diskutimit ka qenë që nuk ka asnjë hapësirë shoqërore e cila është imune ndaj dhunës dhe se ne duhet të reagojmë në secilën rrethanë dhe për secilin rast. Në asnjë moment unë nuk kam pasur qëllim ta ofendoj apo ta cenoj në çfarëdo mënyre zonjën Muçaj-Haradinaj dhe nuk do të doja që fjalët e mia të kuptoheshin si një qëndrim kundër saj, sepse asnjëherë s’ka qenë qëllimi”, tha Fejza.

E pyetur nga EO për deklaratën e shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili sot në Kuvendin e Kosovës iu kundërpërgjigj asaj, Fejza ka folur për angazhimin institucional në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

Ajo ka rikujtuar se Kuvendi ka miratuar një rezolutë lidhur me këtë çështje dhe se nga ky proces ka ardhur edhe themelimi i Komisionit Hetimor në të cilin sipas saj do të vazhdojë angazhimi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Tani ky është një rast shumë i ndjeshëm dhe ju e dini që ne kemi pasur një seancë të Kuvendit të Republikës së Kosovës në kuadër të cilës kemi miratuar një rezolutë, nga e cila doli edhe sot themelimi i Komisionit Hetimor. Ne propozuam emra të Lëvizjes Vetëvendosje për t’u vendosur dhe tani kryesimi i këtij komisioni në fakt do të bëhet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Gjatë diskutimit ka pasur qëndrime të deputetëve për shumë çështje”, shtoi ajo.

Fejza ka theksuar se angazhimi i tyre mbetet që të sigurohet drejtësi për këtë rast, por edhe për të gjitha gratë e tjera. Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojë të trajtojë këtë çështje si përmes Komisionit Hetimor, ashtu edhe në kuadër të Komisionit për Barazi Gjinore.

“Unë e kam shumë të rëndësishme të theksoj se angazhimi ynë mbetet i palëkundur në mënyrë që të ketë drejtësi për këtë rast, por edhe për të gjitha gratë e tjera. Angazhimi i Lëvizjes Vetëvendosje si grup parlamentar tani e tutje do ta vazhdojmë edhe në Komisionin Hetimor, por edhe si komision për barazi gjinore tashmë kemi përfshirë në agjendën dhe planin tonë të punës monitorimin e zbatimit të ligjit për mbrojtjen nga dhuna dhe ky mendojmë se do të jetë edhe një ndihmesë shtesë për të parë se cilat hallka të zinxhirit po dështojnë gjatë zbatimit të ligjit, që është i rëndësishëm për jetën e grave”, ka deklaruar Fejza.

Ndryshe, ligjvënësja Fejza ditë më parë pati deklaruar në një emision në KTV se ka dëgjuar se deputeti i Aleances, Ramush Haradainaj ka ushtruar dhunë në familje, por nuk kishte përmendur asnjë fakt.

Më pas, Anita Muçaj, bashkëshortja e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, i ka kërkuar deputetes Fejza të tërheqë deklaratën e saj, të distancohet dhe të kërkojë falje publike, duke e cilësuar atë si shpifje dhe akuzë të pabazë.

Në një reagim në Facebook, Muçaj ka thënë se deklaratat e deputetes i konsideron serioze dhe se ato sipas saj, cenojnë dinjitetin dhe reputacionin e saj dhe të familjes.p

Po ashtu, ajo ka paralajmëruar se nëse nuk ka tërheqje të deklaratës dhe kërkim falje publike, do t’u drejtohet organeve kompetente dhe do të ndjekë rrugët ligjore.

“Dinjteti nuk negociohet. Reputacioni nuk duhet të bëhet viktimë e interesave politike. Përgjegjësia për fjalën publike nuk është privilegj, por detyrim”, ka shkruar Muçaj në Facebook.

Të ngjashme