Murati: Paga e 13-të do të paguhet në fillim të vitit të ardhshëm

Prishtinë | 29 Tet 2026 | 14:07 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se paga e 13-të për sektorin publik është e paraparë me Ligjin e Buxhetit dhe do të paguhet në fillim të vitit të ardhshëm, rapoton Ekonomia Online.

Ai kundërshtoi edhe deklaratat se komunat po penalizohen nga rishikimi i buxhetit, dhe sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e fondeve u dedikohet pikërisht komunave.

“Gjysma e personelit që paguhet nga buxheti i shtetit është në komuna. Mjetet ndahen proporcionalisht dhe komunave u transferohen fondet për mbulimin e pagës së 13-të dhe përvojës së punës”, u shpreh ai.

Sa i përket pagës së 13-të, Murati tha se ajo ka qenë e paraparë në Ligjin e Buxhetit tash e tri vjet dhe se pagesa e saj për vitin 2026 ishte planifikuar të bëhej në fillim të vitit.

Ai shtoi se veprimet aktuale përbëjnë vetëm mbulim të hershëm të hendekut buxhetor, sipas parashikimeve të ligjit, ndërsa theksoi se paga e 13-të për vitin e ardhshëm do të paguhet në fillim të vitit 2027. Murati tha se, nëse miratohet rishikimi i buxhetit, punonjësit do të përfitojnë edhe pagesën retroaktive të shtesës për përvojën e punës prej 0.5 për qind, duke nisur nga data e hyrjes në fuqi të Ligjit të Pagave e deri në fund të vitit 2025.

Të ngjashme