SBASHK kërkon dialog të hapur me qeverinë e re: Rënia e numrit të nxënësve dhe ikja e mësimdhënësve, shqetësuese

Prishtinë | 06 Qer 2026 | 09:00 | Nga Gzim Mujaj

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se partitë politike vazhdimisht prezantojnë programe të mira për arsimin gjatë fushatave, por sipas tij, problemi mbetet zbatimi i tyre pas ardhjes në pushtet, raporton Ekonomia Online.

Jasharaj tha se pritjet e SBASHK-ut janë që pas zgjedhjeve të krijohet një qeveri që mban të hapur dialogun me punëtorët e arsimit dhe adreson kërkesat e tyre.

“Po, kjo të them të vërtetën jo vetëm tani, po edhe në të kaluarën, partitë kanë dalë me programe goxha të mira për arsimin. Mirëpo, tjetër është fushata, tjetër është realiteti. Uroj që partitë atë që e thonë në fushatë ta mbajnë fjalën kur të vijnë, cilado që vije në pushtet, por t’ju them të vërtetën, ato që thuhen na gëzojnë momentalisht, por ne presim gjithmonë që të kthehen në realitet. Pritjet tona janë që të kemi një qeveri e cila e dëgjon zërin e punëtorëve të arsimit, e cila është për dialog e jo siç ndodhi me qeverinë Kurti tani sa vite, ku ishin mbyllur dyert e dialogut dhe nuk kishte dialog, madje kishte edhe përpjekje për shuarjen e sindikatave. Urojmë që shtatë qershori të na sjellë një qeveri e cila i kupton hallet e të tjerëve, e cila i mban dyert çelur për dialog. Kërkesat tona do të jenë, kërkesa fillestare do të jetë që të kemi dialog pra, pastaj kontrata kolektive e ngritja e pagave, që të barazohet me pagat që i kanë kolegët tanë në shtetet përreth nesh”, tha ai.

Ai tha se një ndër kërkesat kryesore mbetet përmirësimi i kushteve nëpër shkolla dhe digjitalizimi i sistemit arsimor.

“Kërkesat tona do të jenë edhe kushtet e punës në shkollat tona. Ngase një pjesë e shkollave punojnë me kushtet e shekullit të kaluar, me shkumës dhe shpuzë. Ne presim që të kemi digjitalizim të shkollave ashtu siç premtohet vazhdimisht, në mënyrë që edhe mësimdhënësit edhe nxënësit të punojnë me kushtet e shekullit XXI. Pra, do të jetë një nga kërkesat tona të vazhdueshme, kushte të ndryshme të punës në shkollat e Kosovës”, tha ai.

Jasharaj ngriti shqetësimin edhe për rënien e numrit të nxënësve dhe largimin e kuadrove nga arsimi.

“Shifra nuk kemi. Ne filluam të merremi me këtë çështje, por e pamë se institucionet nuk po reagojnë, po heshtin. Ka edhe mungesë nxënësish, rënie të numrit të nxënësve, ka edhe largim të një pjese të kuadrove. Dhe kjo na sjell në një rrezik në të ardhmen. Nëse vazhdohet me këto trende, nëse nxënës kemi më pak, do të thotë mund të kemi edhe shkolla të mbyllura, që nuk është mirë, dhe nëse kemi largim të kuadrove, atëherë vështirësi do të kemi në zgjedhje lidhur me kuadrat në arsim, të cilat eventualisht do ta lëshojnë këtë sistem arsimor e do të shkojnë qoftë në punë tjera, qoftë në vende tjera të Evropës apo botës”, tha ai.

Ai tha se vonesat në krijimin e institucioneve do të dëmtonin edhe më tej sektorin publik dhe privat.

“Po, nëse prapë kemi një situatë, një reprizë të këtyre gjërave që po na ndodhin dy tri herë, atëherë do të dëmtohet jo vetëm arsimi, por i gjithë sektori publik dhe privat. Ngase partitë prapë do të merren me vetveten, prapë do të merren me fushata zgjedhore dhe nuk do të kenë kohë as mundësi që të merren me kërkesat tona, por jo vetëm tonat, por edhe me kërkesat e policisë, zjarrfikësve, administratës publike, madje edhe sektorit privat. Pra, çdo ikje nga këto detyra, e që po bëhet vazhdimisht, sjell probleme dhe ato kërkesa dhe probleme grumbullohen dhe nuk kemi kujt t’ia themi. Edhe në këtë situatën që jemi tani ka kërkesa, ka probleme, por ato kërkesa nuk kemi ku t’i adresojmë”, tha ai.

Sipas tij, sektori i arsimit pret krijimin e institucioneve të reja dhe rikthimin e dialogut me Ministrinë e Arsimit.

“Urojmë që shtatë qershori të sjellë më në fund një zgjidhje të plotë, të kemi institucione sa më shpejt, të kemi parlamentin, të kemi qeverinë, të kemi Ministrinë e Arsimit me të cilën do të komunikojmë. Por të kemi një Ministri të Arsimit e cila i mban dyert e hapura për dialog, e jo siç kishte ndodhur tani e pesë vite, kur ishin barrikaduar kundër dialogut edhe ministrja Nagavci e pastaj edhe ministri Çeku që erdhi. Ne i dërguam shkresa që të takohemi, por ai nuk është përgjigjur, domethënë presim dialog, presim zgjidhje graduale të çështjeve tona, presim që i tërë sistemi edhe shteti të merret seriozisht me arsimin, jo vetëm me deklarata me shtatë mars ose ndonjë festë tjetër, por t’i ndihmojmë mësimdhënësit të ecin me hapat e duhur në shekullin 21 e për t’u bërë kjo duhet të kemi kushte krejt tjera në shkollat e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Të ngjashme