KQZ shpall rezultatet preliminare, prin VV-ja e dyta PDK-ja

Prishtinë | 07 Qer 2026 | 22:38 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme që janë mbajtur sot, raporton Ekonomia Online.

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka thënë se në bazë të rezultateve preliminare për subjektet politike, prin Lëvizja Vetëvendosje, e pasuar nga PDK-ja, LDK-ja e Aleanca.

“Por, deri në këto minuta nga 96.84% të pikëve të votimit, e kemi këtë rezultat: Lëvizja Vetëvendosje me 43.06%, Partia Demokratike e Kosovës me 21.24%, Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.70%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.07%”, tha Radoniqi.

Ai tha se rezultatet do të publikohen pas numërimit të të gjithë votimit si me postë ashtu edhe me kusht.

“Ky është rezultati deri në orën 22:10 nga 96.84% të vendeve të votimit. E, presim edhe  pak mbi 3 ose 4% të rezultatit të futen. Tani është edhe në 97.04%. Megjithatë,  numërimi rezultati përfundimtar do të jepet pasi që të numërohen votat e diasporës, votat  do të thotë edhe me postë, edhe  në votimin në përfaqësitë diplomatike, po ashtu edhe votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta, dhe pas numërimit të të gjitha votave do të jepet rezultati përfundimtar”, tha Radoniqi.

“Prej ditës së nesërme do të nisë numërimi në Qendrat Komunale të Numërimit. Në disa komuna do të nis në orën 16:00, për shkak se materiali do të grumbullohet gjatë natës së sotme, që t’u japim pak kohë të pushojnë”, ka shtuar ai.

Të ngjashme