Presley Gerber, djali i supermodeles së njohur Cindy Crawford dhe biznesmenit Rande Gerber, ka ndërruar jetë në moshën 27-vjeçare.
Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra e Ekzaminuesit Mjekësor të Qarkut Los Angeles dhe të siguruara nga revista PEOPLE, Presley vdiq të dielën, më 20 shtator, në një qendër rehabilitimi, transmeton Klankosova.tv.
Familja e tij ka kërkuar privatësi në këtë periudhë të vështirë.
“Familja kërkon privatësi gjatë kësaj kohe shumë të vështirë dhe të dhimbshme”, tha për PEOPLE një përfaqësues i Cindy Crawford, Rande Gerber dhe motrës së Presleyt, modeles dhe aktores Kaia Gerber.
Shkaqet e vdekjes ende nuk janë bërë të ditura. Sipas TMZ, autopsia nuk ka përfunduar ende.
Presley Gerber lindi në Beverly Hills të Kalifornisë në vitin 1999 dhe, ashtu si nëna e tij, ndoqi një karrierë në modeling.
Në vitin 2019, ai u përball me një akuzë për drejtim automjeti nën ndikimin e alkoolit. Një vit më vonë, ai bëri një tatuazh në fytyrë me fjalën “MISUNDERSTOOD” (“I keqkuptuar”), të cilin më vonë duket se e hoqi.
Në vitet e fundit, Gerber kishte folur publikisht për vështirësitë e tij me shëndetin mendor dhe abuzimin me substancat.
“Duke qenë se kam luftuar me shëndetin mendor, depresionin dhe disa gjëra të tjera që vijnë bashkë me to, mendoj se nëse mund të ndihmoj qoftë edhe një person, apo njëqind njerëz, të dalin nga ajo gjendje ku kam qenë dikur, kjo është gjithçka që më duhet”, kishte thënë ai në podcastin Studio 22.
Presley ishte fëmija i madh i Cindy Crawford dhe Rande Gerber, si dhe vëllai i modeles dhe aktores Kaia Gerber.