Nis numërimi i votave për kandidatët, rezultatet përfundimtare planifikohen deri më 26 qershor

Prishtinë | 08 Qer 2026 | 17:22 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur numërimin e votave për kandidatët për deputetë nga zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, përmes një konference për media, raporton Ekonomia Online.

Elezi tha se numërimi do të bëhet në 38 Qendra Komunale të Numërimit, në të cilat do të punohet me dy orare, ndërsa do të angazhohen më shumë se 2,200 anëtarë.

Ai tha se se rezultatet përfundimtare planifikohen të shpallen më 26 qershor, nëse nuk ka ankesa, ndërsa certifikimi i rezultateve pritet të bëhet deri më datën 6 korrik.

“Ju njoftojmë se, pas përfundimit të procesit të votimit, në 2,498 vendvotime të rregullta është përmbyllur numërimi i votave të subjekteve politike dhe, pas përfundimit të numërimit dhe procedurave të tjera, materialet zgjedhore nga 949 qendra të votimit janë tërhequr dhe dërguar në 38 QKN.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve të subjekteve politike të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës bëhet në vendvotim pasi të përfundojë procesi i votimit, ndërkaq numërimi i votave të kandidatëve për deputetë bëhet në Qendra Komunale të Numërimit. Përveç numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, në këto qendra, sipas Rregullores Zgjedhore të KQZ-së për Qendrat Komunale të Numërimit, do të bëhet edhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët që janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve.

Ky proces, i njëjtë, do të bëhet në 38 Qendra Komunale të Numërimit, në të cilat do të punohet me dy orare. Sipas vendimit të KQZ-së, në këto qendra do të angazhohen më shumë se 2,200 anëtarë, në kuadër të 508 ekipeve të numërimit, të cilët përfaqësojnë subjekte të ndryshme politike pjesëmarrëse në procesin zgjedhor”, tha Elezi.

Ai njoftoi se paraditen e së hënës procesi ka nisur në 15 komuna, ndërsa gjatë pasdites aktivitetet kanë filluar edhe në 23 komuna të tjera, përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Ferizajn, Pejën, Gjilanin dhe Mitrovicën e Jugut.

“Sipas planifikimeve, verifikimi dhe numërimi, paraditen e së hënës, kanë filluar në QKN-të e 15 komunave: Leposaviq, Novobërdë, Obiliq, Shtime, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Graçanicë, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.

Ndërkaq, pasdite aktivitetet do të fillojnë në QKN-të e 23 komunave: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Skenderaj, Suharekë, Ferizaj, Viti, Vushtrri dhe Malishevë”, tha Elezi.

Sa i përket votimit jashtë Kosovës, Elezi bëri të ditur se në 30 përfaqësi diplomatike kanë votuar 22,414 qytetarë nga 27,724 të regjistruar, që përbën 80.85 për qind të pjesëmarrjes.

“Nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga votimi në 30 përfaqësi diplomatike, nga 27,724 shtetas të regjistruar, kanë votuar 22,414 prej tyre, apo 80.85%. Ndërkaq, nga votimi përmes postës, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar është 104,480. Nga ky lloj votimi, KQZ ende nuk i ka të dhënat përfundimtare për numrin e pakove me fletëvotime, pasi ende nuk ka përfunduar tërheqja e tyre nga kutitë postare”, shtoi Elezi, raporton Ekonomia Online.

Të ngjashme