Kurti në 148-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit: Këtu janë rrënjët e ideve politike shqiptare

Prishtinë | 10 Qer 2026 | 17:35 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në shënimin e 148-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku theksoi rëndësinë historike të kësaj ngjarjeje për formësimin e identitetit dhe përfaqësimit politik të shqiptarëve, raporton Ekonomia Online.

Ai kujtoi se në pranverën e vitit 1879, Avdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni zhvilluan një tur diplomatik në qendrat evropiane për të përcjellë qëndrimet politike të shqiptarëve, duke vlerësuar se ata nuk mund ta kishin imagjinuar se një shekull e gjysmë më vonë, Vilajeti i dikurshëm i Kosovës do të shndërrohej në Republikën e Kosovës.

“Në pranverën e vitit 1879, dy liderë të asaj kohe, Avdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni, zhvilluan një tur diplomatik nëpër qendrat e kancelarive evropiane, gjatë të cilit ndaluan edhe në Vjenë për të përcjellë qëndrimet dhe idetë politike të shqiptarëve përmes memorandumesh dhe mesazhesh. Atë kohë, sigurisht që ata nuk mund ta kenë imagjinuar që një shekull e gjysmë më pas, ai që në kohën e Lidhjes ishte Vilajeti i Kosovës, tash do të ishte Republika e Kosovës. Dhe që Kryeministri i saj do të takohej me Kryeministrin e Austrisë, si përfaqësues qeverish të dy shteteve demokracie, partnere, mike dhe aleate. Republika e Kosovës sot është përafërsisht, për nga territori, 1/3 e hapësirës që kishte Vilajeti i Kosovës atëbotë”, tha Kurti.

Sipas tij, Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte organizata e parë politike dhe ushtarake që u dha shqiptarëve zë në arenën ndërkombëtare, duke krijuar për herë të parë një adresë të qartë politike shqiptare jashtë strukturave të Perandorisë Osmane.

 “Meqenëse Lidhja Shqiptare e Prizrenit është organizata e parë politike dhe ushtarake, e cila u dha zë shqiptarëve në arenën politike ndërkombëtare. Deri atëherë, çdo qëndrim politik i shqiptarëve mund të dilte në sferën ndërkombëtare vetëm pasi të kishte kaluar nëpër Stamboll, te Porta e Lartë, si qendër e Perandorisë Osmane. Lidhja Shqiptare i dha ekzistencë dhe jehonë, dhe e trupëzoi institucionalisht qenien politike shqiptare duke e patur për adresë Prizrenin dhe saktësisht këtë kompleks godinash ku ishte vendosur administrata e Lidhjes, dhe më pas qeveria e përkohshme e dalë prej saj”, tha Kurti.

Në fund, ai bëri thirrje që çdo 10 qershor shqiptarët të mblidhen në Prizren për të nderuar Lidhjen Shqiptare dhe idealet e rilindjes kombëtare, të cilat, sipas tij, përbëjnë themelet më të shëndosha të ideve politike shqiptare.

Të ngjashme