Morina: Personat e arrestuar sot kanë marrë pjesë në Masakrën e Reçakut

Prishtinë | 14 Qer 2026 | 13:26 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Speciale bashkë me Policinë sot kanë arrestuar pesë persona të cilët dyshohen për pjesëmarrjen në Masakrën e Reçakut në janar të vitit 1999-të.

Edhe përkundër një aktakuze të ngritur lidhur me këtë masakër në dhjetor të vitit të kaluar, PSRK nuk ka ndaluar punën dhe për gjashtë muaj ka arritur të identifikojë edhe keta persona të cilët edhe i ka arrestuar sot, raporton Ekonomia Online.

Në lidhje me aksionin, para mediave detaje ka dhënë prokurori Ilir Morina.

Në konferencë, Morina deklaroi se për personat e prangosur, ka dyshime të bazuara që kishin qenë pjesë e njësive të veçanta të policisë serbe dhe që kishin marrë pjesë në kryesrjen e kësaj masakre.

“Hetimet që i kemi vazhduar gjatë këtyre gjatë muajve kemi arritur t’i identifikojmë edhe disa persona që kanë qenë pjesë e njësive të veçanta të policisë së Serbisë asokohe që kanë qenë pjesë e aksionit më 15 janar në Reçak”, deklaroi Morina para mediave.

“Prokuroria ka ngritë një aktakuzë për rastin e Masakrës së Reçakut në dhjetor të vitit të kaluar, hetimet nuk kanë përfunduar. Kemi vazhdu me mbledhjen e dëshmive të rëndësishme. Hetimet që kemi zhvilluar këto gjashtë muaj, kemi arritë të identifikojmë disa persona që kanë qenë pjesë e Njësive të policisë së Serbisë në atë kohë, që kanë marrë pjesë në aksionin e 15 janarit 1999 në fshatin Reçak”, tha Morina.

Të ngjashme