Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka komentuar reagimet e Bashkimit Evropian lidhur me ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të cilat u votuan javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, Hoti tha se reagimet e BE-së ishin të pritshme, duke iu referuar kërkesës për konsultime paraprake për ndryshimet në këtë ligj. Ai shprehu gjithashtu rezerva nëse ndryshimet e miratuara do të sjellin rezultatet e nevojshme për mbrojtjen e duhur të personave që po gjykohen në Hagë.
“Apo nëse flas edhe në emër të imin, duhet t’ua kujtoj një fjali të Kryeministrit Kurti në ditën kur është votuar projektligji për Dhomat e Specializuara. Nuk mund ta citoj të gjithin, por Kryeministri Kurti e ka potencuar shumë mirë që ne nuk jemi shumë të bindur për këtë projektligj, megjithatë po besojmë që partia e cila ka sponsorizuar projektligjin është konsultuar me aktorët tjerë dhe me BE-në. Kështu që kur flasim për projektligjin, krahas projektligjit ne jemi duke u munduar të krijojmë diçka konkrete që është strategjia, ndërkaq projektligji është që do t’i kalojë edhe fazat tjera të procedurës, por edhe unë si Andin nuk jam shumë i bindur ta them të drejtën për projektligjin që do të bëjë ndryshimet e nevojshme që të kenë një mbrojtje të duhur, duke e parë situatën në Kosovë, e cila gjendet sot në hagë”, tha Hoti.
Ministri theksoi se reagimet e Bashkimit Evropian lidhen edhe me procedurën e ndjekur gjatë hartimit të ndryshimeve ligjore. Ai rikujtoi se për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara parashihet konsultimi paraprak me BE-në.
“Reagimet e Bashkimit Evropian janë të pritura, sepse po e them të drejtën një nga pikat që potencohet edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, po çdo ndryshim të atij ligji theksohet që do duhej të kishte një konsultim paraprak me Bashkimin Evropian gjatë gjithë kësaj, sepse ai ligj nuk është se ka ndodhur gjatë hartimit të një projektligji, që është hartuar në dy apo tre ditë”, thotë ai.
