Sipas një raporti nga New York Post, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar të vendosë një tarifë 100% për verën dhe shampanjën franceze, nëse Franca nuk heq taksën e shërbimeve digjitale mbi kompanitë e teknologjisë.
Franca e prezantoi taksën në vitin 2019, duke aplikuar një taksë prej 3% mbi të ardhurat e gjeneruara brenda vendit nga firmat e mëdha të teknologjisë, duke përfshirë Facebook, Amazon, Apple dhe kompaninë mëmë të Google, Alphabet.
Sipas gazetës, Trump tha se i kishte kërkuar Macronit “të mos u vinte tarifa kompanive amerikane”.
“Nëse e bëjnë këtë, nuk kam zgjidhje tjetër veçse të vendos një tarifë 100% për të gjitha shampanjat dhe të gjitha verërat që vijnë nga Franca”, citohet të ketë thënë presidenti republikan.
“E tëra çfarë duhet të bëjë Macron është të heqë qafe taksën e shitjeve dhe ai nuk do të kishte atë lloj presioni”, shtoi ai.
Shtetet e Bashkuara janë tregu më i madh i eksportit për verërat dhe pijet alkoolike franceze, duke përbërë 21% të totalit të eksporteve vitin e kaluar, sipas Federatës Franceze të Eksportuesve të Verës dhe Pijeve Alkoolike.
Verërat franceze dhe evropiane të eksportuara në SHBA përballen tashmë me një tarifë prej 15%, nga 10% që ishte më parë.